in

Pasaporta e vështirë shqiptare

Pajisja me pasaportën biometrike ka qenë një nga problemet e shqiptarëve të kthyer në atdhe për festat e fundvitit. Nga frika mos i ndalonin në kufi po ta kishin kërkuar dhe të mos e kishin tërhequr, shumëkush nuk shkoi fare të aplikonte, të tjerë mbajtën radha të gjata, veçanërisht për të futur në xhep fillimisht letërnjoftimin e më pas pasaportën biometrike

Një vit më parë, emergjenca e krijuar nga qeveria shqiptare për emigrantët e kish emrin letërnjoftim elektronik, këtë radhë e ka pasaportë biometrike. Në janar 2009 qeveria shqiptare vendosi që brenda gjashtë muajve – deri në datën e zgjedhjeve – të gjithë të pajiseshin me letërnjoftimin e ri. Fillimisht u vendosën edhe disa afate specifike për kategori të veçanta si për administratën publike, pensionistët e me radhë për të gjithë popullsinë, brenda të cilave të gjithë duhet të aplikonin për letërnjoftimin, përndryshe rrezikonin ndëshkime si për shembull mosmarrja e rrogës apo e pensionit, pamundësia për të përfituar shërbime nga administrata publike etj. Paniku zuri jo vetëm shtresat më të varfëra, për të cilat nuk parashikohej lëshimi i dokumentit falas, por veçanërisht emigrantët që sapo ishin kthyer nga pushimet dhe shumica dërrmuese e të cilëve nuk mendonin të ktheheshin në atdhe para qershorit. Dalëngadalë qeveria mori një sërë vendimesh që zbusnin gjithnjë atë pararendës dhe u arrit që shumë kategorive t’u rimbursohej një pjesë e vleftës së letërnjoftimit, apo t’u jepej direkt me një çmim më të ulët, si dhe që të gjithë atyre që kishin një pasaportë dhe emigrantëve të mos u kërkohej respektimi i afateve. Erdhën zgjedhjet, dhe pas tyre vrulli i lëshimit të letërnjoftimeve ra deri në gusht kur filloi fluksi i emigrantëve. Gjëja e parë që mësuam ishte se nuk mund të aplikoje për pasaportë pa aplikuar më parë për letërnjoftim, dhe kjo gjë vlen edhe sot e kësaj dite. Nuk kuptohet arsyeja e një gjëje të tillë: nëse jetoj jashtë Shqipërisë ku më njihet vetëm pasaporta, përse duhet të detyrohem nga shteti të marr edhe letërnjoftimin, për të cilin, për më tepër, duhet të paguaj? Po kjo është tjetër mesele…

Në gusht radha të gjata shiheshin në zyrat e aplikimit në rrethe ku shpesh puna ngecte për shkak të “lidhjes internet”, kështu të thonin punonjësit. Dhe ti detyroheshe të shkoje në internet kafenë aty pranë ku lidhja funksiononte më së miri e të kaloje kohën me shpresë se do të mund të aplikoje pas pak. Mungesa e informacionit zyrtar kish shkaktuar edhe paqartësi dhe frikë të shumë emigrantë: kur i thashë se nuk po aplikoja një kushërire që vinte nga Shtetet e Bashkuara e po kalonte praktikisht të gjitha paraditet në zyrën e aplikimit, gjëja e parë që më tha ishte “Nuk do të të lënë të dalësh në Rinas!”. M’u duk absurde një gjë e tillë dhe të them të vërtetën në Rinas as që më pyeti njeri nëse kisha aplikuar  apo jo.

I njëjti alarm u përhap mes emigrantëve të kthyer në atdhe edhe gjatë periudhës së festave të fundvitit, duke i shtyrë disa të mos aplikonin fare ndërsa disa të tjerë të aplikonin e të tërhiqnin pasaportën, duke zënë radhën edhe që në mbrëmje për të nesërmen në mëngjes.

E këtë herë alarmi “u justifikua” me çka u ngjau disa emigrantëve në kufi duke dalë nga Shqipëria. Fillimisht na u duk absurde telefonata e parë nga një lexues i gazetës ditët e para të janarit: “Nuk më lanë të kthehem në Itali sepse më thonë që pasaporta që kam është e pavlefshme”. Edhe të tjerë persona kanë telefonuar në redaksinë tonë për të na treguar se janë ndaluar në portin e Durrësit për të njëjtën arsye. Mos e kanë të fallsifikuar? Apo të skaduar? Këto janë të parat gjëra që normalisht duhet të të shkojnë ndërmend.

Por jo, është mëse e vërtetë që janë ndaluar shtetas në kufi, fatmirësisht jo shumë vetë, dhe vërtet me këtë arsye: “Pasaporta që ke është e pavlefshme”. Na e shpjegojnë shpejt pse-në nga ministria e Brendshme shqiptare. Më 5 janar 2010, zëdhënësi i saj Fatmir Konja deklaron mes të tjerave për shtypin që: “Të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta duhet ta tërheqin atë sepse pasaportat sapo prodhohen regjistrohen në sistem duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme. Asnjë aplikues pas datës 26.12.2009, nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010 në asnjë pikë kalimi kufitar për shkak se vetëm ka aplikuar dhe nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta”. Fjala sistem nënkupton sistemin TIMS (total informations management sistem) për kontrollin e kufijve. Sa për datat e dhëna nga zoti Konja ato nuk të thonë shumë pasi kanë të bëjnë me një grup të vogël njerëzish: emigrantë që kanë aplikuar pas datës 26 dhjetor dhe u larguan nga Shqipëria para datës 10 janar. Po ata që aplikuan pas 26 dhjetorit, a mund të largohen, për shembull më 16 apo më 20 janar?

Në një situatë të tillë mund të ndodhet për shembull dikush që niset nga Italia, me një biletë vajtje-ardhje të prerë ndoshta edhe para shumë kohësh dhe që për të ndihmuar sadopak vendin e tij (kështu na thuhet përditë “aplikoni sa më parë për pasaportat biometrike që të na liberalizohen vizat”) aplikon për pasaportë (madje më parë edhe për letërnjoftimin, edhe pse duke jetuar jashtë Shqipërisë nuk i hyn në punë asnjëherë). Ç’zhgënjim i madh e ç’humbje kohe e parash, hapje telashesh me punën e shkollën e fëmijëve, nëse nuk ka arritur ta marrë e në kufi ta kthejnë mbrapsht? Aq më tepër që mos-tërheqja e dokumentit mund të ketë arsye objektive: si për shembull, dokumenti mund  të prodhohet atë ditë që emigranti largohet apo një ditë më parë kur ky është nisur drejt pikës kufitare prej nga po largohet.

Për të qenë sa më të saktë në atë çka duam të themi e për të mos alarmuar askënd, i shkruajmë zëdhënësit të ministrisë së Brendshme duke i kërkuar t’u përgjigjet disa pyetjeve si: “A nuk do të ishte më e saktë që regjistrimi i dokumentit në sistem të bëhej në çastin e tërheqjes efektive të pasaportës nga qytetari dhe jo në çastin e prodhimit? A do të vazhdohet me ndalimin në kufi të qytetarëve nëse dokumenti është prodhuar në çastin që ata kërkojnë të largohen nga Shqipëria? Ç’do të ndodhë me ata shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, që kanë një pasaportë të vjetër të vlefshme deri edhe për 4-5 vjet të tjerë dhe që nuk kthehen në atdhe deri në janar 2011? A ka një afat të fundit për aplikim për pasaportat e reja dhe cili është?”

Edhe pse Shqipëria po kalonte ditët më të rënda të emergjencës së shkaktuar nga përmbytjet, zoti Konja na ktheu menjëherë një përgjigje, edhe pse të shkurtër e të pjesshme duke na lënë të kuptojmë që shpejt mund të na japë një intervistë të mirëfilltë me përgjigje më të hollësishme.

Zoti Konja thotë se “çështja e afateve për t’u pajisur me pasaportë dhe mundësia për të lëvizur pas aplikimit, ende pa e marrë në dorë mund të jetë keqkuptuar edhe pse deklaratat e Ministrisë se Brendshme kanë qenë të qarta. Konkretisht askush nuk është penguar dhe natyrisht nuk do të pengohet të kthehet në vendin ku jeton e punon për shkakun se nuk ka aplikuar apo ka aplikuar për pasaportë dhe është larguar para se pasaporta e re biometrike të prodhohej nga kompania Aleat”. Por menjëherë më pas kundërshton veten: “Mendoj se për ndalimin e largimit nga Shqipëria ju i referoheni disa rasteve të veçuara që sipas të gjitha gjasave kanë aplikuar për pasaportën biometrike, e ndërsa ajo është prodhuar ata nuk kanë shkuar ta tërheqin por kanë tentuar të lëvizin për jashtë vendit me pasaportën e vjetër”. Sa për intervalin kohor 26 dhjetor – 10 janar shpjegon që “kishte të bënte thjesht me faktin se kush kishte aplikuar pas kësaj date nuk mund t’i prodhohej pasaporta e re biometrike para datës 10 Janar, që do të thoshte se pasaportën aktuale e kishte të vlefshme në këtë hark kohor dhe natyrisht nëse e kishte tepër të nevojshme mund të udhëtonte për jashtë vendit. Me këtë njoftim dëshironim t’u vinim në ndihmë kësaj kategorie personash, megjithëse do të ishte e udhës që kushdo që aplikonte të shpenzonte dy javë pranë familjes së tij dhe të priste sa të pajisej me pasaportën e re biometrike për të cilën gjithsesi do t’i duhet të aplikojë brenda këtij viti, pasi pasaportat aktuale do të dalin jashtë përdorimit”.

Përgjigjja është vërtet e pjesshme por disa përfundime mund t’i nxjerrim edhe nga kaq sa na shkruan zëdhënësi. Nëse dikush shkon në Shqipëri, aplikon dhe pret dy javë sa t’i dalë pasaporta e re, e tërheq dhe udhëton në kthim me të dyja: të renë t’ia tregojë policisë shqiptare në kufi, të vjetrën italianes, bashkë me dokumentin e qëndrimit. Por nëse dikush nuk është i sigurt se mund të qëndrojë deri ditën e prodhimit të pasaportës së re, bën mirë të aplikojë vetëm 2-3 ditë para se të largohet nga Shqipëria pasi vetëm kështu është i sigurt që në dalje nuk do ta kthejnë mbrapsht pasi pasaporta e re nuk është prodhuar ende. Duket zgjidhje e thjeshtë, e arsyeshme dhe e drejtë regjistrimi i pasaportës së re në sistemin e ministrisë së Brendshme në çastin kur shtetasi e tërheq materialisht dokumentin dhe jo në çastin kur ai prodhohet. Nuk arrihet të kuptohet pse nuk bëhet një gjë e tillë, aq më tepër që Udhëzimi Nr. 308, datë 8.5.2009 i  ministrisë së Brendshme “Për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasve” parashikon në pikën 10: “Shtetasit që kanë aplikuar për pasaportë biometrike, në momentin e marrjes në dorëzim të kësaj pasaporte, vihen në dijeni për pavlefshmërinë e pasaportës së mëparshme, veprim i cili kryhet menjëherë nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit pranë DPPSH”.

Një tjetër përfundim ka të bëjë me afatin e vlefshmërisë së pasaportave të vjetra. Edhe pse janë lëshuar deri në fillim të vitit të shkuar me vlefshmëri dhjetëvjeçare, nga ç’duket deri më sot, ato nuk do të jenë më të vlefshme nga 1 janari 2011. Me mbi 1,2 milion shqiptarë jashtë atdheut, dhe faktin që pasaportat e reja nuk mund të kërkohen pranë konsullatave duket disi i vështirë respektimi i këtij afati. Por deri në dhjetor, me siguri do të dalin vendime të reja qeveritare që do të hedhin poshtë afatet e tanishme, përndryshe, në emër të integrimit në Europë, një pjesë e shqiptarëve rrezikon të mos hyjë dot në Shqipëri.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 228 – 16 janar 2010

 

Udhëzime për retushimin e kujtesës

Grupi i Ermal Metës zbarkon në Sanremo