in

Gabriel Partosh: “Fshirja e provave të 21 janarit, goditje për imazhin e Shqipërisë”

Gabriel Partosh, analisti i BBC-së, njohës i çështjeve të Ballkanit, i intervistuar nga gazetari Besar Likmeta, i BalkanInsight.com, lidhur me ato që po ndodhin në Shqipëri, shprehet hapur: “Akuzat e Prokurorisë për një komplot për të fshehur provat për vrasjen e protestuesve gjatë trazirave të 21 janarit janë një tjetër goditje për reputacionin e Shqipërisë sa i përket sundimit të ligjit. Reputacion që është dëmtuar seriozisht gjatë viteve të fundit nga përplasjet për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre lokale në Tiranë në vitin 2011, nga vrasja e katër protestuesve dhe nga dështimi i sistemit ligjor për të prodhuar ndonjë dënim për figura të njohura që janë akuzuar për korrupsion”. Ndaj edhe, sipas tij, “Shqipëria nuk ka asnjë shans të sigurojë statusin e vendit kandidat në rast se nuk ndryshon qëndrim”.

Ja intervista e tij e plotë:

Gabriel Partosh
Balkaninsight.com: Çfarë panorame të demokracisë shqiptare dhe zbatimit të ligjit kemi pasi është bërë e ditur se tre zyrtarë të shtetit janë arrestuar për vrasjen e protestuesve dhe pas komplotit për të zhdukur provat gjatë trazirave të 21 janarit?

Gabriel Partosh: Akuzat e reja janë shumë serioze, për shkak se përfshijnë një komplot në nivele të larta brenda qarqeve qeveritare për të fshirë provat e asaj që duket se është një aktivitet kriminal. Akuzat janë një tjetër goditje për reputacionin e Shqipërisë sa i përket sundimit të ligjit. Është një reputacion që është dëmtuar tashmë seriozisht gjatë viteve të fundit nga përplasjet për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre lokale në Tiranë në vitin 2011, vrasja e katër protestuesve dhe nga dështimi i sistemit ligjor për të prodhuar ndonjë dënim për figura të njohura që janë akuzuar për korrupsion.

Kryeministri Sali Berisha e konsideron 21 janarin një grusht shteti të orkestruar nga prokurori i përgjithshëm, presidenti, kreu i shërbimit sekret dhe opozita. Ai së fundmi ka kërcënuar se do arrestojë prokurorin e përgjithshëm dhe presidentin kur të largohen nga detyra. A duhet të tolerojë BE një sjellje të tillë nga një vend kandidat apo duhet të flasë hapur e me forcë kundër?

Kërcënimi për të arrestuar zyrtarët e lartë të përfshirë në zbatimin e ligjit dhe në gjyqësor duket se janë një ndërhyrje serioze në drejtësi. Është në kundërshtim me ndarjen e pushteteve mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, që është një gur themeli i demokracisë.

BE përpiqet që t’i përzgjedhë fjalët me kujdes dhe rrallë flet me forcë, vetëm në rast se bëhet fjalë për kërcënime të mëdha për paqen ndërkombëtare ose për shtypje në shkallë të gjerë nga regjime diktatoriale. Me një vend aspirant si Shqipëria është ndryshe, ka marrëdhënie më konstruktive. Por pikëpamjet e BE në lidhje me Shqipërinë janë të qarta, dhe dështimi i Shqipërisë për dy vite radhas për të siguruar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, është një provë e pikëpamjes së BE-së për çështjen.

Çfarë ndikimi do kenë sulmet e kryeministrit Sali Berisha kundër prokurores së përgjithshme dhe presidentit në aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat?

Shqipëria nuk ka asnjë shans të sigurojë statusin e vendit kandidat në rast se nuk ndryshon qëndrim. Kjo kërkon mes të tjerash rikthimin e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, fundin e ndërhyrjes politike në gjyqësor dhe një përpjekje të ndershme për të luftuar korrupsionin.

Kushtet nuk janë shumë të vështira, Mali i Zi, që e ka nisur procesin e integrimit në BE shumë më vonë se Shqipëria, e ka siguruar tashmë statusin kandidat dhe pret të hapë bisedimet për anëtarësim në qershor. Rënia e standardeve demokratike në Shqipëri është theksuar edhe nga shumë studime ndërkombëtare, përfshi Indeksin për Demokracinë, publikuar nga Economist Intelligence Unit në vitin 2011, që e rendit Shqipërinë në rënie në vend të 87 nga 167 vende, nga vendi 84 ku renditej në vitin 2010 dhe nga vendi 81 në vitin 2008.

Lexo intervistën në origjinal: Cover-Up of Protestor Deaths ‘Blow to Albania’s Reputation’

La Nazionale Albanese Rugby, l’avventura continua

Le seconde generazioni raccontano l’Italia del 2021