in

Të rinjtë e ASAT ngrenë shkollën e gjuhës shqipe në Trieste

Falë të rinjve studentë, 35 fëmijë shqiptarë në Trieste po nisin kursin e gjuhës shqipe.

Romë, 27 janar 2012 – Shoqata e studentëve shqiptarë në Trieste, ASAT, në bashkëpunim me familjet shqiptare, kryesisht kosovare, rezidente në Trieste, kanë mundësuar hapjen e një kursi për mësimin e gjuhës shqipe  për fëmijët.

Ashtu si edhe në ndonjë vend tjetër të Italisë si në Parma, Fermo, Cecina, Fontenuova, projekti lindi nga dëshira e mirë që fëmijët shqiptarë të lindur e të rritur në Itali të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e nënës, e kur të rriten të ruajnë këtë element të rëndësishëm të identitetit të tyre kulturor.

Në kursin e këtij viti, njofton shoqata ASAT, janë regjistruar 35 fëmijë, kryesisht nga Kosova. Kursi do të jetë falas dhe në fund të tij nxënësit do të marrin një dëshmi frekuentimi.

Ai parashikon mësimin e alfabetit, të nocioneve bazë të gramatikës, pasurim të fjalorit në gjuhën shqipe, si edhe një seksion tregimesh në shqip, të zgjedhura në përshtatje me moshën e fëmijëve. Organizuesit kanë menduar gjithashtu t’i kushtojnë kohë edhe muzikës dhe poezisë në mënyrë që fëmijët të mund të japin një spektakël të thjeshtë në përfundim të vitit. Mësimi do të jepet nga një mësuese filloreje, prej vitesh ndërmjetësuese kulturore në Trieste.  

Organizuesit janë lidhur me ministrinë e Diasporës dhe atë të Arsimit të Kosovës, nga të cilat u janë premtuar tekste të posaçme për mësimin e gjuhës jashtë atdheut.

Të gjithë ata prindër që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë kurs, mund të kontaktojnë organizuesit në adresën info[at]asatrieste.it

Album fotografik nga dita e përurimit të kursit

Lexo edhe:

 

 

 

Histori shqiptarësh që mbrojtën hebrenjtë

Qeveria hesht. Nga e hëna mbërrin taksa mbi lejeqëndrimet