in

Qeveria hesht. Nga e hëna mbërrin taksa mbi lejeqëndrimet

Heshtje e plotë nga ministritë e Brendshme dhe e Integrimit që kishin premtuar reduktim të taksës mbi lejet e qëndrimit. Orët e fundit për të kursyer nga 80 deri në 200 euro

Romë, 27 janar 2012 – Vetëm pak orë për t’i shpëtuar taksës. Vetëm sot pasdite e nesër paradite. Më pas zyrat e postave do të mbyllin deri të hënën, 30 janar, kur hyn në fuqi “kontributi i ri për lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit”.

Taksa shkon nga 80 euro në 200 në bazë të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit: 80 euro për dokumentin njëvjeçar, 100 euro për lejeqëndrimin dyvjeçar dhe 200 për kartën e qëndrimit. Shuma që u shtohen 70 eurove që paguhen sot për një shërbim aspak të kënaqshëm. Nuk paguajnë taksën e re të miturit dhe disa kategori personash si kërkues të strehimit politik, apo ata që vijnë në Itali për t’u kuruar.

E ndërsa goditja mbërrin, qeveria hesht. Më 4 janar kishin folur edhe ministrat Andrea Riccardi e Anna Maria Cancellieri, duke premtuar “një reflektim të thelluar”. Në një çast krize që godet të gjithë, jo vetëm për italianët por edhe punonjësit e huajt, duhet verifikuar – premtuan ministrat – nëse aplikimi i taksës mund të modulohet në bazë të të ardhurave të të huajve dhe të përbërjes familjare”.

Por për atë “reflektim” nuk dihet më asgjë. Vazhdon apo është mbyllur? E rezultatet? “Telefononi ministrinë e Brendshme, ne i bëmë propozimet tona, vendosin ata” thonë nga ministria e Integrimit. Të ishte kaq e thjeshtë. Prej ditësh kërkojmë sqarime nga ministria e Brendshme, por edhe vetëm për të folur me nënsekretarin e Brendshëm Saverio Ruperto, që po merret me këtë çështje, duket shumë e vështirë.

Ndërkaq, ka nisur numërimi mbrapsht për hyrjen në fuqi të taksës. Është me vend të kujtojmë se ligji nuk parashikon një kufi para të cilit nuk mund të paraqitet kërkesa për përtëritjen e lejes së qëndrimit. Kush e bën sot e nesër i shpëton taksës, të paktën deri në përtëritjen e ardhshme. Ndoshta deri atëherë “reflektimi” i qeverisë do të ketë dhënë frytet e veta.

Elvio Pasca

Të rinjtë e ASAT ngrenë shkollën e gjuhës shqipe në Trieste

Taksa mbi lejeqëndrimet. Nuk pezullohet, nga e hëna do të paguhet