Qeveria nis eksperimentimin në komunat më të mëdha. Me Kartën Sociale “Social Card”, edhe shtetasit komunitarë dhe jokomunitarë me kartën e qëndrimit do të mund të blejnë me shpenzimet e shtetit
Romë, 30 janar 2012 – Do të mund ta blejnë edhe të huajt me Social Card, kartën e parapaguar nga shteti për personat më në nevojë.
Dekreti i ligjit mbi thjeshtimet burokratike i miratuar nga qeveria të premten e shkuar parashikon një eksperimentim të Kartës për një vit në Komunat me më shumë se 250 mijë banorë dhe për një financim të përgjithshëm prej 50 milionë eurosh. Shuma e akredituar në çdo kartë do të ndryshojë “në bazë të bërthamës familjare dhe të kostos së jetesës në komunat e përfshira nga eksperimentimi”.
Ndryshe nga social card e vitit 2008, që ishte vetëm për italianët, karta e re është edhe për të huajt komunitarë (polakë, rumunë, bullgarë) dhe për të gjithë jokomunitarët që kanë kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë. Qeveria shmang kështu një procedurë shkeljeje të kërcënuar nga BE, duke qenë se për shërbimet sociale, qytetarët e shteteve të tjera të Europës duhen konsideruar njësoj si italianët, ashtu si edhe titullarët e kartave të qëndrimit.
Por është ende herët për të varur shpresat tek karta sociale. Pas hyrjes në fuqi të dekretligjit mbi thjeshtimet, ministritë e Punës dhe të Ekonomisë do të kenë tre muaj kohë për të përcaktuar kriteret për lëshimin e kartës sociale. Më pas do të jenë komunat që do ta shpërndajnë, pasi të kenë përcaktuar përfituesit.
EP