I sjellë në Shqipëri në orën 3 të mëngjesit të 24 shkurtit, kapiteni Feti Vogli do të prehet në varrezat e Dëshmorëve
Ora 16.00 – Kapiteni Feti Vogli prehet në varrezat e dëshmorëve
Autoritetet më të larta të shtetit nderuan sot kapitenin e ndjerë Feti Vogli.
Kortezhi me trupin e tij mbërriti rreth orës 11:10, në Pallatin e Kongreseve, pas përfundimit të ceremonisë familjar.
Në ceremoninë homazh morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit, të qeverisë, të forcave politike si edhe shumë ushtarakë, miq, familjarë e qytetarë të tjerë. Të parët që kanë bërë homazhe përpara trupit të pajetë të “Dëshmorit të Atdheut” kanë qenë ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Xhemal Gjunkshi. Pas tyre, përkulet me nderim para trupit të Voglit ish presidenti Alfred Moisiu. Avokati i Popullit Igli Totozani, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ministri i METE, Nasip Naco, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Në homazhet për nder të Dëshmorit të Atdheut edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të BE-së, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, ambasadorja e Anglisë, Fiona McIlwham dhe ai i BE-së Etore Sequi si edhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu.
Kreu i opozitës Edi Rama i shoqëruar nga kreu i Grupit parlamentar Gramoz Ruci nderuan pak minuta pas mesditës dëshmorin e Atdheut, Feti Vogli. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit komandantit të rënë në Afganistan ka mbërritur në ambientet e pallatit të Kongreseve edhe kryeprokurorja Ina Rama.
Më pas edhe kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli janë përkulur para arkivolit të Voglit e kanë ngushëlluar familjarët e tij.
Ka mbyllur homazhet e autoriteteve, Presidenti Bamir Topi, i fundit që qëndroi disa çaste në heshtje përpara Dëshmorit të Atdheut.
Më pas, efektivët e Batalionit të Operacioneve Speciale ku bënte pjesë kapiteni Feti Vogli nën shoqërimin e orkestrës ushtarake, e kanë mbajtur trupin e shokut të tyre në krahë për ta dërguar në banesën e fundit në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku do të prehet krah dëshmorëve të atdheut që kanë dhënë jetën në luftëra dhe në shërbim të atdheut.
Ushtari i forcave special, Feti Vogli nuk i është përgjigjur apelit të fundit të komandantit, bërë tre herë rresht, sipas ritualit ushtarak, nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Dritan Demiri, i cili më pas i ka dorëzuar babait të kapitenit të vrarë flamurin kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli.
Tiranë, 24 shkurt 2012 – Trupi i pajetë i kapitenit Feti Vogli, që u vra 4 ditë më parë në Afganistan, ka mbërritur në atdhe rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në Shqipëri me një avion të NATO-s.
Arkivoli metalik i mbuluar nga flamuri kombëtar është mbajtur në krahë nga shokët dhe kolegët e të ndjerit, të shoqëruar nga trumbetat dhe vaji i të afërmeve të ushtarakut që qanin me dhimbje humbjen e djalit të tyre. Në çastin e mbërritjes së arkivolit në bazën ushtarake të Rinasit ishin të pranishëm dhjetëra drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, shokë dhe kolegë të kapiten Voglit efektivë të batalionit special Beretat e Kuqe në Zallherr. Nga aty arkivoli është çuar fillimisht në morgun e spitalit Nënë Tereza, e më pas në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Baldushk.
Në orën 10.00 ka nisur ceremonia mortore zyrtare në Pallatin e Kongreseve ku është çuar për homazhet trupi i pajetë i ushtarakut. Ceremonia do të përfundojë në orën 15.00 në Varrezat e dëshmorëve ku do të prehet kapiteni i rënë në Afganistan.
Tre ditë më parë Ministria e Mbrojtjes vlerësoi me titullin “dëshmor i Atdheut” kapitenin Vogli dhe vendosi varrimin e tij në Varrezat e dëshmorëve.
Kapiten Feti Vogli, i lindur më 23.05.1981 në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Tokësore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi. Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.
Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si: Medalja e Karierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar, Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007, Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.
Nga data 16.01.2012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.
Tre ditë më parë Ministria e Mbrojtjes vlerësoi me titullin “dëshmor i Atdheut” kapitenin Vogli dhe vendosi varrimin e tij në Varrezat e dëshmorëve.
Lë pas gruan Alva dhe të bijën 2 vjeçe me emrin Egi.