Janë me dhjetëra universitete private që lindin e lulëzojnë në Shqipëri. Pavarësisht tarifave të larta, janë të përballueshme në krahasim me jetën në Itali, e pavarësisht prestigjit, po fillojnë të thithin me qindra studentë që ndoshta dikur do të kishin zgjedhur Italinë.
Nga Marjola Rukaj
Janë të panumërta universitetet shqiptare. UT i dikurshëm që ishte punishtja e vetme e dijes në kryeqytetin shqiptar është sot vetëm një nga emrat e një liste të gjatë. Madje edhe vetë kryeqyteti dhe qytetet filiale nuk janë më monopolizuese të prodhimit të dijes universitare. Tashmë edhe shumë qytete të tjera i kanë shtuar vetes epitetin “unversitar” dhe janë mbushur me kontingjente studentësh të ngeshëm, apo të angazhuar që ndjekin ritualin e nevojshëm për të marrë në dorë një rulon të vyer diplome që është teorikisht kartëvizita për të hapur ndonjë portë në botën e stërnyjëtuar të punës, në Shqipërinë e tranzicionit të pambarimtë.
Kërpudhat pas shiut
Janë me dhjetëra universitet shqiptare, ndër të cilat pjesa më e madhe private. Ekonomia e tregut me pak vjet vonesë mbërriti edhe në arsimin universitar shqiptar duke rritur ofertën e duke përthithur atë pjesë të tregut që nuk arrin të kënaqë sektori shtetëror. Dikujt që në botë merret me sistemin universitar privat do t’i tingëllonte i çuditshëm një arsyetim i tillë, por në Shqipërinë e kapitalizmit të shfrenuar edhe kapitalizimi i dijes nuk është aspak proces i habitshëm. Fakti që mijëra studentë shqiptarë kanë zgjedhur këto institucione për tu formuar profesionalisht, do të thotë se në të mirë e në të keq, universitetet private shqiptare me larushinë e tyre të çfarëdollojshme, janë tashmë pjesë e arsimit universitar shqiptar.
Tek e fundit shumëzimi i tyre gjatë viteve të fundit i detyrohet mungesës së kapaciteteve nga ana e universiteteve shtetërore që nuk arrijnë as të pranojnë në strukturat e tyre gjithë kandidatët për universitarë, as t’i ndjekin mirëfilli ata që arrijnë të filtrohen nga sistemet e rrepta e të diskutueshme të përzgjedhjes. Kjo e gjitha sepse në Shqipëri, të gjithë duan të shkojnë në universitet. Është vështire të imagjinohet si do të jetë bota e punës së të ardhmes në Shqipëri kur të gjithë të jenë të mbiarsimuar dhe kur askush të mos dojë të përdhosë diplomën e vetë të lakmuar, me punë të pakualifikuara për të cilat tregut nuk ka si t’i bjerret nevoja.
Por ky fakt nuk është vetëm një fenomen shqiptar, është një fenomen evropiano-lindor që karakterizon edhe Shqipërinë. Mjafton t’i hidhet një sy fqinjësisë së afërme ballkanike, e madje edhe vendeve kulturorisht më pak lindore si Polonisë, Çekisë, etj. Kudo në Evropën lindore gëlon shumëzimi i universiteteve private si kërpudhat pas shiut. Të gjithë edhe synojnë të shkollohen dhe tani që liberalizmi e bën këtë të prekshëm për këdo, arsimi universitar e gjen veten të masivizuar siç nuk mund të kishte ëndërruar as regjimi komunist më i admirueshëm në llojin e vet. Ajo që ndoshta i bashkon këto shoqëri masivisht me origjinë rurale, e historikisht pa hierarki të theksuar, është se pikërisht arsimi veçanërisht në shekullin e fundit, ka qenë vektori më i mirë e më efikas për përparim shoqëror të individëve. Dhe të gjithë duan të shkojnë në universitet…
Marketingu i botës së çudirave
Krahas emrave të mëdhenj të kombëtarizmës e shkencës shqiptare që meritojnë tu kushtohen institucione universitare, universitetet private kanë shtuar emra fantaziplot si sa për shembull Ufo, Kristal apo Univers. Një prirje kjo e re dhe interesante që meriton vëmendjen e sociologjisë së logove dhe e marketingut postkomunist. Megjithëse të çuditshme, dhe të diskutueshme emrat nuk kanë kushtëzuar aspak negativisht rininë shqiptare në zgjedhjen e këtyre alternativave universitare.
Pjesërisht në fantazinë e pakontrolluar të emërtimeve, që karakterizon edhe institucionet po private të arsimit parauniversitar shqiptar, ndikon dëshira e themeluesve të tyre, që në të shumtën e rasteve janë individë të suksesshëm të sferës së biznesit të cilët projektojnë iniciativat e tyre investuese edhe në këtë sektor në dukje të papërputhshëm me ekonominë e tregut. Qëllimi kryesor, është plotësimi i kërkesës me një ofertë që ndryshe nga universitetet shtetërore, paguhet majmëm.
Punishte diplomash
Sistemi i arsimit privat në Shqipëri edhe pse ka përthithur resurset pedagogjike më pozitive të sistemit universitar dhe parauniversitar, nuk perceptohet vërtetë si një punishte dijeje, ku dija mësohet, prodhohet dhe përftohet nga puna kërkimore, siç nënkupton institucioni universitar në përkufizimin e tij parësor, por thjeshtë pak a shumë si qendra shit-blerjeje diplomash në një periudhë afatmesme. Kjo sepse vetë sistemi universitar shqiptar prej kohës nuk ka takatin e duhur të zhvillimit kërkimor, nga pak të trashëguar nga e kaluara e kushtëzimit shkencor e ca nga e tashmja e varfërisë intelektuale dhe e mungesës së politikave mbështesë. Por edhe sepse qëllimi kryesor i ekzistencës së universiteteve private është pajisja me diploma të barazvlefshme me ato të universitetit shtetëror, dhe jo formimi i stafit kërkimor. Ndërsa vetë këto ente nuk janë fondacione jo fitimprurëse por sipërmarrjeje biznesmenësh të regjur në kapitalizmin djaloshar shqiptar.
Shumësi universitare
Qëllimi kryesor i një pjese të mirë të universiteteve shqiptare është prodhimi i diplomave, ndërsa cilësia pulson e zhduket herë pas here në listën e shqetësimeve të ministrisë së arsimit, por pa dhënë rezultate konkrete. Vetëm para pak muajsh një politikë krasitëse ndërmarrë në Kosovë, kaloi në shoshë një pjesë të mirë të universiteteve kosovare duke kualifikuar dhjetëra prej tyre. Në atë kohë u hap fjala se një gjë e tillë do të mbërrinte edhe në Tiranë. Por ministria e arsimit, që ka pagëzuar ajo vetë ekzistencën e këtyre enteve mes një mijë problemesh të reja e të vjetra të arsimit shqiptar, duket se nuk ka gjetur ende kohë të merret me këtë temë. Dhe cilësia që këto universitete ofrojnë ngelet një thashethem urban që të interesuarit pëshpëritin majtas e djathtas midis tyre. Thuhet se të studiosh në universitetet private është shumë më lehtë se sa të studiosh në universitete shtetërore. Duhet të paguash dhe e ke të sigurt marrjen e provimit, ndërsa në universitetet shtetërore duhet të negociosh privatisht me profesorët. Dhe e gjithë kjo në kuadrin e sistemit të Bolonjës që synon t’i hapë studentët shqiptarë me botën. Por sistemi ngelet i mbyllur. Për sa kohë që Shqipëria është larg Brukselit edhe shkëmbimet universitare dhe hapja e botës universitare dhe asaj pasuniversitare me homologët jashtë Shqipërisë mbetet një utopi premtuese në konventën e ratifikuar symbylltasi të Bolonjës.
Rasti i Zojës
Meqenëse rrota burokratike ecën me shpejtësi primitive dhe nuk mund t’i besohet, në mishmashin universitar shqiptar, e madje edhe në vetë normat e konventës së Bolonjës, fshihen mënyra për të anashkaluar ngërçin e tanishëm. Kjo është realizuar disi nga universiteti po privat Zoja e Këshillit të Mirë, që lind nga një fondacion jo fitimprurës në Tiranë. Në muajin shkurt për herë të parë janë dhënë madje diplomat e para ndërkombëtare shqiptare, të arritura nga dyvlefshmëria shqiptare dhe italiane e ofertës didaktike të këtij universiteti. Dyvlefshmëria, e përftuar nga mësimdhënia me programe italiane, të kopjuara e të adaptuara nga sistemi i Bolonjës në salcë italiane, synon të fusë të rinjtë në botën e punës qoftë në Shqipëri qoftë në Itali. Madje është anashkaluar edhe izolimi endemik i studentëve shqiptarë, duke shpërfillur Erazmusin e pamundur, nëpërmjet shkëmbimeve me universitetet italiane të binjakzuara.
Mishmash pasuniversitar
Kur në Shqipërinë e pas pak vitesh do të jenë shtuar brezat me diploma private në xhep, dhe nga jashtë shtetit do të vijnë të tjerë të sapodiplomuar nga mijëra metropolet anekënd globit, krahas atyre që në diploma do të mbajnë vulën UT, është vështirë të përfytyrohet në ç’parime do të mbështeten punëdhënësit shqiptarë për përzgjedhjen e personelit të tyre. Një lloj ponderimi cilësish që nuk privilegjon aspak sektorin privat fillon të qarkullojë që tani. Ndoshta është shenja e parë e daljes nga pluralizmi ekstrem.
Bota Shqiptare 211