Në përgjigje të shqetësimeve të emigrantëve, ministria e Jashtme u kërkon shteteve të tjera të lejojnë udhëtimin drejt Shqipërisë të shqiptarëve edhe me pasaportën jo biometrike. Urdhëresën e ka marrë sot edhe Ambasada shqiptare në Romë, që ia ka përcjellë menjëherë autoriteteve italiane
Romë, 5 mars 2012 – Ambasada e Shqipërisë në Romë sapo ka njoftuar autoritetet italiane që këto të fundit të lejojnë shtetasit shqiptarë me pasaportë jobiometrike të kthehen në Shqipëri.
Nga Ambasada jonë në Romë thonë për shqiptariiiitalise.com se sapo kanë marrë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë një njoftim në të cilin thuhet se “me Urdhër nr. 1284/2, të datës 28.02.2012, të Ministrit të të Punëve të Brendshme, në zbatim të Vendimit nr. 913, të datës 21.12.2011 “Për nxjerrjen jashtë qarkullimit të pasaportave biometrike përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë”, duke marrë parasysh shqetësimet dhe problematikat e ngritura nga komuniteti shqiptar jashtë vendit, përcaktohet si më poshtë:
1. Duke filluar nga data 01.03.2012, ora 00.01, shtetasit shqiptarë të cilët kanë në përdorim pasaporta jobiometrike, nuk lejohen që të udhëtojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
2. Për arsye të mos pajisjes me pasaportë biometrike shtetasit shqiptarë të lejohen që të hyjnë në territorin e Republikës se Shqipërisë me pasaportë jobiometrike”.
Një lajmërim i tillë shpresohet t’u japë fund mëdyshjeve të autoriteteve kufitare italiane lidhur me lënien e shqiptarëve për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Nga ana tjetër, mbetet gjithmonë urgjente pajisja sa më parë me pasaportën biometrike, pasi me të vjetrën tashmë vetëm mund të hyhet në Shqipëri por nuk mund të shkohet në asnjë vend tjetër. (k. biçoku)