in

Nga 10 marsi vjen në fuqi marrëveshja e integrimit dhe lejeqëndrimi me pikë

Risitë do të prekin vetëm të ardhurit e rinj. Sapo të hyjnë në Itali do të angazhohen të arrijnë objektiva të caktuar që pas dy vjetëve do të verifikohen

Romë, 6 mars 2012 – Asnjë shtyrje, nga e shtuna 10 mars të gjithë ata që mbërrijnë në Itali duhet të nënshkruajnë “Marrëveshjen e Integrimit mes Shtetit dhe të huajit”. Në rregullore parashikohet që marrëveshja e integrimit të nënshkruhet nga të gjithë të huajt mbi moshën 16 vjeç që vijnë në Itali nga çasti kur rregullorja të vijë në fuqi. Të gjithë të huajt që kanë tashmë një lejeqëndrimi e gjenden në Itali janë të përjashtuar. Një dhuratë me shpërthim të vonuar e qeverisë Berluskoni: e parashikuar nga paketa e sigurisë e vitit 2009, u deshën tre vjet për ta sjellë në fuqi.

I huaji duhet të nënshkruajë marrëveshjen në çastin kur kërkon lëshimin e lejes së parë të qëndrimit, duke angazhuar se nuk do të bëjë asnjë shkelje e do të arrijë disa objektiva si mësimi i italishtes dhe njohja bazë e institucioneve italiane.

Në rregullore parashikohet që marrëveshja e integrimit të nënshkruhet nga të gjithë të huajt mbi moshën 16 vjeç që vijnë në Itali nga çasti kur rregullorja të vijë në fuqi. Të gjithë të huajt që kanë tashmë një lejeqëndrimi e gjenden në Itali janë të përjashtuar.

Praktikisht integrimi do të matet me kredite, ndaj të huajit do t’i japë apo do t’i heqë pikë çdo hap i drejtë apo i gabuar që do të hedhë gjatë dy vjetëve të parë. Do t’i shtojnë thesarin e pikëve ndjekja e kurseve (sipas numrit të orëve dhe shkallës së kualifikimit kurset japin nga 4 deri në 30 pikë, kur është fjala për vite universitare apo pasuniversitare, numri i pikëve, sipas provimeve të dhëna shkon nga 30 deri në 50 për një vit, etj) por edhe veprime si zgjedhja e mjekut të familjes (4 pikë), regjistrimi i kontratës së qirasë (6 pikë), hapja e një aktiviteti privat apo vullnetarizmi (nga 4 pikë). Nga ana tjetër pikët do të shkurtohen nëse i huaji dënohet penalisht, edhe me sentencë jopërfundimtare (për të paktën tre muaj heqje lirie, pikët reduktohen me 10, nëse dënimi, edhe pse jopërfundimtar i kapërcen 3 vjetët, hiqen 25 pikë), apo kryen shkelje administrative e tatimore (për gjobitje prej të paktën 10 mijë eurosh hiqen 2 pikë).

Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes Sporteli unik për imigracionin do të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura nga i huaji (certifikata që dëshmojnë ndjekje kursesh apo shkolle) ose, në mungesë të dokumenteve, do t’i bëjë atij një test. Qoftë testi, qoftë shqyrtimi i dokumentacionit do të përfundojë me një shumë pikësh. Nëse i huaji mbledh të paktën 30 pikë, marrëveshja konsiderohet e respektuar dhe e mbyllur, nëse i huaji ka nga 1 deri në 29 pikë konsiderohet “i mbetur në klasë” dhe i jepet një vit tjetër për përmbushjen e marrëveshjes dhe nëse nuk ka asnjë pikë të huajit i jepet dekreti i dëbimit.

Dhe nëse të huajit i kërkohet të jetë sa më i ndershëm e më i përgatitur, zyrave që trajtojnë imigracionin, veçanërisht Sporteleve unike u shumëfishohet puna. Është ende herët për të dhënë gjykim, por nga përvoja e deritanishme është e natyrshme të mendohet që, në mos këto ditët e para kur marrëveshja e integrimit të hyjë në fuqi, pas dy vjetëve, kur të vijë koha e testimit të imigrantëve, Sportelet unike të jenë të mbytura nga praktikat.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe:
 
 

 

Regolamento dell’Accordo di integrazione

Shtetësia dhe vota. Propozimet për ligj popullor mbërrijnë në Parlament