Janë paraqitur sot në Dhomën e Deputetëve tekstet e fushatës “Italia jam edhe unë”. Majftonin 50 mijë firma, janë paraqitur më shumë se dyfishi. Tani e ka radhën politika të bëjë të sajën
Romë, 6 mars 2012 – Të reformojë ligjin mbi shtetësinë dhe t-u japë të huajve të drejtën e votës administrative. E kërkojnë mëse 100 mijë qytetarë italianë që kanë nënshkruar dy propozimet për ligjin me iniciativë popullore të fushatës “Italia jam edhe unë” e promovuar nga 19 shoqata që gjatë muajve të shkuar kanë mbledhur firma në mbarë Italinë. Tekstet janë depozituar sot në Dhomën e Deputetëve.
Reforma e shtetësisë kërkon të mundësojë dhënien e menjëhershme të shtetësisë të gjithë të sapolindurve nga prindër të huaj në qoftë se të paktën njëri prej tyre është me qëndrim të rregullt në Itali prej të paktën një viti, apo nëse njëri prej prindërve ka lindur në Itali. Reforma kërkon njohjen e menjëhershme të shtetësisë edhe për bijtë e imigrantëve që ndjekin në Itali një cikël shkollor ose për ata që vijnë deri në moshën dhjetë vjeç e jetojnë në Itali pa ndërprerje deri në moshë madhore. Për të rriturit reforma kërkon që të përgjysmojë kohën e nevojshme të rezidencës për paraqitjen e kërkesë nga dhjetë në pesë vjet.
Për sa i përket të drejtës së votës, me miratimin e reformës, imigrantëve me vendbanim të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetëve , do t’u jepej e drejta e votës aktive e pasive në zgjedhjet e minibashkive, bashkive, të provincave dhe të krahinave. Për të votuar, të huajve do t’u duhet të kërkojnë regjistrimin në listat elektorale shtesë, siç bëjnë sot qytetarët komunitarë që marrin pjesë në zgjedhjet komunale.
Që të paraqitej në Parlament, secila prej propozimeve kishte nevojë për të paktën 50 mijë firmashtetasish italianë, një objektiv jo vetëm i arritur por mëse i dyfishuar. Në fakt për shtetësinë janë mbledhur 109.268 firma ndërsa për të drejtën e votës 106.329. Tani e ka radhën politika të vihet në lëvizje për të evituar që kjo shtysë e fortë nga poshtë të vejë dëm.
Edhe për këtë arsye, fushata “Italia jam edhe unë” nuk do të ndalet, por do të propozojë iniciativa të reja sensibilizimi. “Nga ana jonë, nga ky çast do të nisë një presion i vazhdueshëm me qëllim që Parlamenti të marrë përgjegjësitë e veta. Jemi të sigurt që ai nuk do të zhgënjejë pritshmërinë e miliona personave” thotë zëdhënësi Graziano Del Rio, kryetar i bashkisë së Reggio Emilias dhe kryetar i ANCI-t, shoqata kombëtare e komunave italiane.
Elvio Pasca