in

Topi Berishës: “Komunist i 1968-tët që gënjen prej 22 vjetësh”. PD: “Topi përdhosi presidencën”

Akuzës së fundit të kryeministrit Berisha se presidenti i shtetit nuk ka nënshkruar ligjin e Lustracionit për të mos dënuar hanxharët e diktaturës, Bamir Topi i përgjigjet me deklarata të ashpra e akuzuese “Berisha është komunist që nga vitit 1968. Prej 22 vjetëve mashtron shqiptarët me pronat dhe gënjen ish të përndjekurit politikë”. Përgjigjet menjëherë PD me deputetin Edi Paloka që nuk stepet ta quajë Topin “përdhosës të institucionit të Presidencës, dekorues të persekutorëve dhe kamxhik të Edi Ramës”.

Tiranë, 6 mars 2012 – Presidenti i vendit Bamir Topi, i pranishëm sot në një aktivitet përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” të fshatit Kolesian në krahinën Lumë të Kukësit, shpërtheu kundër Sali Berishës, duke iu përgjigjur publikisht sulmeve të kryeministrit, të bëra ditët e fundit dhe veçanërisht asaj të ditës së hënë në përvjetorin e 61 të pushkatimit të 22 intelektualëve në vitin 1951, kur shefi i qeverisë deklaroi se kreu i shtetit nuk firmosi ligjin e Lustracionit, me qëllim që të mos dënonte hanxharët e diktaturës.

Topi ka sqaruar se nuk është herë e parë që sulmohet nga PD por ai ka zgjedhur “të ruajë një profil shumë institucional”, ndaj nuk është marrë me ta, por kur sulmet vijnë drejtpërdrejt nga kryeministri preferon të përgjigjet. Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt akuzës së mos nënshkrimit të ligjit Topi thotë: “Ky është një ligj, që është kthyer si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Është një ligj, që u kontestua ashpër edhe nga Komisioni i Venecias, edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Përsa i përket moralit të ligjit, unë kam firmën time në vitin 2006 së bashku me zotin Majko, në një projektligj që asnjëherë nuk u miratua nga Parlamenti. Pra edhe sot e kësaj dite, ai ligj meriton që të miratohet dhe jo të deformohet për t’u bërë antikushtetues”

Presidenti Topi i kërkoi kryeministrit Berisha të japë llogari për foton e qarkulluar në media, në të cilën krah tij shfaqen anëtarë të byrosë politike, dhe shkoi më tej duke e akuzuar si mashtrues që u premton shqiptarëve se do u kthejë pronat dhe sipas Topit nuk e bën, ashtu siç vepron edhe me ish të përndjekurit.

“Ju e dini që njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për fotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës dhe është gati-gati ironike dhe një hipokrizi e papranueshme që në krye të Komisionit të Ligjeve, aty ku certifikohen ligjet edhe për të përndjekurit, është pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë të kohës së diktaturës. Pra, ky personazh, ka marrë pak a shumë pamjen dhe fizionominë e David Koperfildit. Është bërë iluzionist. Ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën. Ndërkohë që ka qenë detyrimi i parë për ta realizuar. Pikërisht ky ka qenë programi i Partisë Demokratike, për të cilin ne jemi rivotuar në vitin 2005, për të cilin ne kemi bërë një luftë që ka qenë shumë parimore dhe kjo punë nuk mund të shkojë më me deklarata. E ka pasur mundësinë. Ka shtatë vjet që është për së dyti në pushtet dhe nuk e bën. E ka pasur mundësinë. Ka shtatë vjet që është për së dyti në pushtet dhe nuk e bën. Pra, kur bëhet pastaj ballafaqimi i figurave që nuk kanë të bëjnë fare me diktaturën, por që kanë konsumuar diktaturën e të tjerëve, ndërkohë që ky personazh që nga vitit 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar Partie, dhe njëzet e dy vite të tjera bën përralla me komunizmin dhe nuk i kompenson realisht duke e pasur në dorë mekanizmin, atëherë thoni ju se ku qëndron e vërteta. Pra, unë jam edhe njëherë, për hapjen e dosjeve, dhe të jeni të sigurt se me hapjen e dosjeve shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë”, tha kreu i vendit. ” ka shfryrë i revoltuar presidenti Topi.

Nuk vonoi shumë e mbërriti edhe reagimi i Partisë Demokratike me deklaratat e deputetit Edi Paloka që e cilësoi Topin “përdhosës të institucionit të Presidencës, dekorues të persekutorëve dhe kamxhik të Edi Ramës”. Ai ngriti një seri akuzash ndaj Kreut të shtetit, duke kërkuar prej tij të sqarojë demokratët për votën e dhënë për Edi Ramën, më 8 maj. “Sa herë ka pasur detyrimin të fliste ka heshtur, ky quhet Bamir Topi. Për ata që nuk e dinë, duhet të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve, meqë më në fund vendosi të flasë, duhet t’u shpjegojë demokratëve që e votuan për të përfaqësuar shqiptarët, si Kryetar Shteti e jo si Spahi”, thuhet në deklaratën e Palokës.

“Më 8 maj e votove Ramën për shkak të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, në trojet e së cilëve po ngrenë sarajet Koçoja, Besoja dhe Fideli, e të tjerë tironsa të vjetër apo e votove kryetarin e partisë së Enver Hoxhës, (partisë së persekutorëve që dekretove për katër vjet në krye të prokurorisë e gjyqësorit), për të përmbushur një amanet të të përndjekurve politikë?”, vijon deklarata.

“Topi është kamxhiku i Ramës, njeriu që përdhos institucionin e presidentit kur betohet për shenjtërinë e pronës dhe vetë e vjedh atë, kur qan të përndjekurit, por voton persekutorët, duke keqpërdorur karrigen për pazare dhe sevape personale” e mbyll Paloka.

 

Shtetësia dhe vota. Propozimet për ligj popullor mbërrijnë në Parlament

Akuzohet për racizëm reklama e Bashkimit Europian për promovimin e zgjerimit