Vetëm tre ditë përpara 4-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, merr fund procesi Gërdeci në Gjykatën e Tiranës. Më rëndë nga të gjithë dënohen ish kreu i MEICO-s dhe ish administratori i kompanisë së demontimit Alba Demil
Tiranë, 12 mars 2012 – Gjykata e Tiranës dha sot vendimet për 29 të pandehurit e procesit ‘Gërdeci’.
Dënimet më të rënda për ish kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin, dhe për ish administratorin e kompanisë së demontimit në Gërdec, Dritan Minxollin, që të dyve nga 18 vjet burg. Ndërsa për pronarin e kompanisë Alba Demil, Mihal Delijorgji, janë dhënë 10 vjet burg. Organi i akuzës kishte kërkuar burgim të përjetshëm për këta tre persona.
I pandehuri Sokol Ngjeci është dënuar me 10 vite burg. Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, i cili është larguar së fundi bashkë me familjen në Amerikë u dënua me 6 vite burg, nga 8 vite që kishte kërkuar Prokuroria.
Pas vendimit kanë reaguar ashpër familjarët e viktimave, ndër to edhe Zamira Durda, e cila humbi tragjikisht djalin e saj në shpërthimin në ish fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në shenjë proteste për vendimin e Gjykatës Zamira Durda bllokoi për disa minuta derën e Gjykatës.
Më 15 mars përkujtohet katër-vjetori i shpërthimit të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, qindra të tjerë u plagosën dhe mijëra mbetën të pastrehë.
Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për të pandehurit e çështjes ‘Gërdeci’: