Titullarëve të këtij dokumenti dhe familjarëve të tyre më shumë të drejta se për emigrantët e tjerë. Sot më 16 mars, Qeveria ka miratuar, me vonesë, direktivën evropiane 2009/50/BE
Romë, 16 mars 2012 – Duket se së shpejti do të mbërrijnë rregulla të reja për të tërhequr në Itali punonjës të huaj me kualifikim të lartë, duke u ofruar atyre një super-lejeqëndrim.
Qeveria ka miratuar më 16 mars një dekret legjislativ për të përvetësuar “direktivën 2009/50/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve jokomunitarë që do të kryejnë punë me kualifikim të lartë”. Dekreti duhet të marrë mendimin e dy Dhomave të parlamentit (jo votën) para se të hujë në fuqi.
Direktiva Europiane parashikon që punonjësve të huaj jokomunitarë më të kualifikuar t’u rezervohet hyrje më e shpejtë dhe një leje qëndrimi e quajtur “Karta blu” apo “blue card”.
Karta Blu do të ketë kohëzgjatje nga 1 deri në 4 vjet dhe do të mund të përtërihet. Titullarët e këtij dokumenti do të gëzojnë trajtim të njëjtë me shtetasit e vendit anëtar që e ka lëshuar Kartën në këto fusha: kushte pune, pagese dhe heqjeje nga puna; liri anëtarësimi në shoqatë; shkollim, formim dhe njohje të kualifikimeve; disa dispozita të legjislacioneve kombëtare lidhur me sigurinë sociale dhe regjimin e pensioneve; të drejtë përfitimi nga të mira e shërbime, përfshirë procedurat për dhënien e shtëpive popullore, shërbimeve të informimit dhe konsulencës; liri lëvizjeje në brendësi të vendit anëtar ku ka shkuar, sipas ligjit kombëtar në fuqi.
Gjithashtu titullarët e Kartës, 18 muaj pas marrjes së këtij dokumenti, do të kenë mundësi të lëvizin në BE duke marrë me vete edhe familjen.
Lidhur me Kartën Blu, qeveria Monti ka pasur shtysën e Bashkimit Europian pasi Italia është me një vit vonesë në përvetësimin e direktivës. Direktiva 2009/50/BE është e datës 25 maj 2009, dhe duhej pranuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së brenda 19 qershorit 2011. Për këtë arsye Komisioni Europian ka nisur ndaj Italisë procedurën për shkelje.
Shkarko