Një pasaportë apo edhe një certifikatë e thjeshtë e bërë në Konsullatën e Milanos mund të kushtojë deri në 30 euro më shumë se i njëjti dokument i lëshuar në Ambasadën e Romës. Diferenca është ajo ‘deri në 15 euro’ që kushton prenotimi jo vetëm për të bërë kërkesën, por edhe për ta tërhequr dokumentin e lëshuar nga Republika Autonome e Konsullatës Shqiptare në Milano e cila me kokë të vet ka rritur çmimin e shërbimit në kurriz të emigrantëve ngaqë “ka dyndje”.
Nga Keti Biçoku
Nuk kaluan as dy javë nga zhvleftësimi aty-për-aty i pasaportave jobiometrike, njerëz të mbetur aeroporteve pa mundur as të dalin nga Italia e jo me të hynin, dhe shqiptarëve në Itali u mbërriti dhurata e dytë: nga data 12 mars konsullata e Milanos nuk lejon më njeri t’i afrohet derës pa telefonuar me parë në një numër telefonik për të prenotuar takimin. Për çfarëdo shërbimi konsullor për të cilin një shqiptar në Itali duhet t’i drejtohet konsullatës, nga lëshimi i një certifikate deri te aplikimi për pasaportën biometrike, duhet te telefonojë për të prenotuar takimin. Nuk mjafton kjo, por në rastin e pasaportës e të letërnjoftimit, pas aplikimit, duhet të telefonojë sërish për të prenotuar tërheqjen e dokumentit.
Asgjë e keqe, madje shërbim i kulturuar, do thoshte gjithkush me të parë lajmin. Por s’ka mësuar ende lajmin e dytë, që shërbimi i prenotimit është me pagesë. Praktikisht, konsullata e Milanos i ka shtuar me kokë të vet një taksë të paparashikuar nga ligji çdo shërbimi konsullor: taksën e telefonatës në numrin me prefiksin famëkeq 895. Kushton rreth 1,50 euro në minutë. Domethënë çdo emigrant duhet të paguajë të paktën 2 euro gjatë prenotimit. Që mund të shkojë deri në 15 euro për çdo telefonatë.
E kontaktuar nga shqiptariiitalise.com, Konsulli i përgjithshëm në Milano Nausika Spahia shpjegon se sitemi i ri i prenotimit ka lindur: “si nevojë pas dyndjes së qytetarëve për aplikime për pasaporta e tërheqjet e tyre mbas hyrjes në fuqi të Vendimit të këshillit të ministrave që nxori jashtë përdorimi pasaportat jobiometrike. Dyndja prej 300-400 personash në ditë (ka arritur edhe deri në 500 persona) nuk na lejon administrim dinjitoz të punës e të shërbimit”.
400-500 persona në ditë në konsullatë duket vërtet numër jo i vogël dhe i papërballueshëm për çdo zyrë publike. Me këto shifra, brenda një muaji në Milano paraqiten (apo rrezikonin të paraqiteshin) mëse 10.000 vetë në muaj. Shifër kjo që është pothuajse e barabartë me numrin e përgjithshëm të pasaportave biometrike lëshuar nga Konsullata e Milanos nga prilli i 2011-ës deri ne 15 mars të këtij viti: sipas vetë Konsullit gjatë njëmbëdhjetë muajve të shkuar konsullata e Milanos ka lëshuar 11.500 pasaporta.
Me këtë dyndje të dhjetëfishuar “e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin e radhëve ishte zgjedhja e një kompanie telefonike për administrimin e shërbimit të prenotimit siç bëjnë shumë përfaqësi diplomatike të botës” shton Spahia.
Me prenotim punojnë shumë zyra të administratës publike italiane, nga numri i radhës nëpër posta, deri te prenotimet për praktika të ndryshme emigracioni në sitin e Ministrisë së Brendshme Italiane. Porse, nuk janë shërbime me pagesë: janë shërbime on-line dhe falas për qytetarët. Ndërsa përfaqësitë diplomatike, nuk parashikojnë asnjë kacidhe më shumë se çmimi i dokumenteve vendosur nga pushteti qendror dhe nuk aplikojnë dot nga hiçi një taksë të dyshimtë më shumë mbi shtetasit e vet të cilëve është e detyruar t’u ofrojë shërbimin. Madje, madje, edhe Ambasada e Shqipërisë në Romë, e cila duhet t’i përkasë të njëjtit shtet e të respektojë të njëjtat procedura si Konsullata e Milanos, nuk parashikon sistem prenotimi me pagesë. E kështu, një pasaportë e bërë në Romë kushton deri në 30 euro me pak se një pasaportë e bërë në Milano. Diferenca është ajo ‘deri në 15 euro” që kushton prenotimi jo vetëm për të bërë kërkesën, por edhe për ta tërhequr pasaportën e lëshuar nga republika autonome e Konsullatës Shqiptare në Milano e cila me kokë të vet ka rritur çmimin e shërbimit ngaqë ka “dyndje”. Është njësoj sikur drejtuesit e një zyre të gjendjes civile kudo në Shqipëri të vendosnin fshatçe të hapnin një numër 900 për të prenotuar marrjen e certifikatave. Ngaqë ka dyndje.
Me gjithë këtë taksë-shtesë shqiptaro-milaneze që del nga xhepi i emigrantëve, Konsulli Spahia shton gati me krenari se “asnjë qindarkë e telefonatave të prenotimeve nuk hyn në llogarinë e konsullatës”, të gjitha i shkojnë kompanisë private që ofron shërbimin.
Shqiptari i Italisë ende është duke hulumtuar cila është kjo kompani shërbimesh. Asnjë informacion zyrtar nuk jep të dhëna se cilat kane qenë kriteret e përzgjedhjes së kompanisë së prenotimeve dhe se si befas i ndriti ky shans i papritur për të futur në xhep 100% të “deri në 15 euro” për çdo telefonatë. Dhe dritëhijet e këtij sekseri shtojnë dyshimet se në bazë të zgjedhjes së sistemit të prenotimit me pagesë nuk qëndron thjesht ‘administrimi dinjitoz i punës dhe shërbimit’, por edhe një aferë aspak për t’u shpërfillur.
Telefonuam nga redaksia për të prenotuar në Konsullatë, dhe pasi një zë shumë ishpejtë njoftoi se po telefononim në një numër të konsullatës së Milanos për “prenotime e informacione”, si edhe për shpenzimin e pranuam të flasim, dëgjuam diskun e regjistruar që këshillonte numrin që duhej shtypur sipas shërbimit për të cilin kishim nevojë. Në fund u përgjigj një vajzë që u prezantua si Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Milano. Me mirësjellje pyeti përsëri se si mund të na ndihmonte, për sa vetë bënim prenotimin, na dha takimin e na pyeti nëse është ditë e përshtatshme për ne, e së fundi edhe nëse kishim nevojë për informacion mbi dokumentacionin që do të duhet të merrnim me vete (iu përgjigjëm menjëherë JO). Telefonata zgjati 2 minuta e 35 sekonda, dhe harxhuam qoftë nga TIM qoftë nga Wind 0,16 (shkrehja e përgjigjes) + 1,82 x 3 (qoftë kur telefonuam me TIM qoftë nga Wind u njoftuam se një minutë kushton 1,82 euro). Praktikisht prenotimi na shkoi 5,62.
Nëse i përmbahemi shifrës së shqiptarëve që i drejtohen çdo ditë konsullatës së Milanos (‘300-400, arrijnë edhe 500’ deklaroi Spahia) janë 400 shqiptarë që çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, telefonojnë për të marrë takim e për të kërkuar një dokument. E nëse marrim një mesatare prej tre minutash për telefonatë, janë rreth 6 euro për të prenotuar kërkesën (natyrisht, siç paralajmëron vetë operatori telefonik, telefonata mund të shkojë ‘deri në 15 euro’, por le t’i quajmë shqiptarët të gjithë të shkathët që mbarojnë punë në tre minuta edhe pse ndonjëri mund të hutohet apo të ketë nevojë, e të pranojë këshillën e vajzës për të pasur informacione mbi dokumentacionin që duhet të ketë me vete ditën e takimit).
Me këto shifra optimiste të parashikimit tonë, operatori telefonik mbledh rreth 2.400 euro në ditë, që shumëzuar me 25 ditë prenotime bëjnë rreth 60.000 euro në muaj, rreth 720.000 euro në vit që një shoqërie të panjohur i ranë nga qielli pasi veç shpenzimeve të veta mjaft të ulëta, nuk ka asnjë detyrim ndaj Konsullatës që i ka dhënë shërbimin. Konsullata e Milanos praktikisht është bërë tenderuese e një shoqërie private që me të drejtë paguhet për shërbimin, porse jo nga porositësi, konsullata, por nga shtetasit shqiptarë, për një shërbim që është tagër e shtetit, e që nuk parashikon shpenzime të tjera veç atyre të përcaktuara nga ligji.
Pas artikujve të parë të Shqiptari i Italisë mbi sistemin e prenotimit lexues të ndryshëm kanë reaguar me komentet apo letrat në redaksi. Pothuajse të gjithë janë dakord që radhët para konsullatës shqiptare në Piazza Duomo janë të turpshme, por zgjidhja nuk mund të jetë në kurriz të shqiptarëve. “Është njësoj sikur të të kërkojnë biletë me pagesë për të hyrë në konsullatë” shkruan një lexues. Ndërsa shumë të tjerë nuk ngurrojnë ta quajnë këtë zgjedhje të konsullatës së Milanos turp dhe vjedhje.
Të të njëjtit mendim me lexuesit edhe shoqatat e ndryshme të shqiptarëve në Itali të kontaktuara. “Telefonatat 895 dhe pagesa ekstra janë një abuzim i rëndë në kurriz të emigrantëve” thonë nga Scanderbeg Parma. “Sikur të mos mjaftonte fakti që emigrantëve shqiptarë u mungon mbështetja institucionale nga ana e autoriteteve dhe e diplomacisë në Shqipëri dhe Itali, tani shtohen edhe pagesa të kota vetëm për të tërhequr dokumentin personal.” thonë nga Asat Trieste. “Ne protestojmë kundër veprimeve të tilla që vështirësojnë më tepër situatën e emigrantëve në këtë periudhë krize” shkruan shoqata Skanderbeg Fermo. “Nuk arrij të kuptoj pse nuk bëhet prenotimi me anë të internetit. Tashmë pjesa më e madhe e emigrantëve në Itali kanë një kompjuter ose dinë të përdorin shumë mirë pc-në kështu që do të ishte shumë më mirë nëse do të realizohej prenotimi me anë të internetit direkt në faqen e konsullatës” shkruajnë nga shoqata e studentëve shqiptarë në Bolonjë USAB.
Është pikërisht kjo kërkesa e shprehur edhe më parë nga Shqiptari i Italisë: prenotimi, nëse është i nevojshëm, mund të bëhet me çdo mjet të mundshëm komunikimi, nga pëllumbat lajmëtarë e deri te shërbimet online. Por jo me pagesë.