Kolonel Bardhyl Hoxha dhe kolonel Adi Ndoni janë dekoruar me “Kryqin Përkujtimor” nga Ministria e Mbrojtjes Italiane për bashkëpunimin me trupat italiane të KFOR-it gjatë kryerjes së misionit në Kosovë
Tiranë, 21 mars 2012 – Kolonel Bardhyl Hoxha, komandant i Brigadës Logjistike dhe shefi i Degës për Operacionet dhe Stërvitjen në Komandën e Forcave Tokësore, kolonel Adi Ndoni, në një ceremoni të organizuar sot në ambasadën e Italisë në Tiranë, u dekoruan me medaljen “Kryqi Përkujtimor” nga Ministria e Mbrojtjes Italiane për vlerësimin maksimal në bashkëpunimin me trupat italiane të KFOR-it gjatë kryerjes së misionit në Kosovë.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zëvendës ambasadori italian në Tiranë, përfaqësues të Delegacionit të Ekspertëve Italian (DIE), të Guardia di Finanza, si dhe ushtarakë të lartë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura.
Kryqi iu dorëzua ushtarakëve shqiptarë nga atasheu ushtarak italian i akredituar në vendin tonë, gjeneral brigade Vito Dell’Edera, me motivacionin “Për misionin ushtarak të paqes në Kosovë, në kuadër të Rezolutës së OKB-së Për paqen në ish-Jugosllavi”.
Kolonel Bardhyl Hoxha ka shërbyer për më se një vit me mision pranë komandës së KFOR-it në Kosovë, me detyrën e zv.shefit të Shtabit të KFOR-it dhe drejtor i Komunikimit, duke qenë edhe përfaqësuesi më i lartë i Forcave të Armatosura Shqiptare me KFOR. Ndërsa kolonel Adi Ndoni ka shërbyer për rreth dy vjet e gjysmë me detyrën e zv.drejtorit të ekipit të këshilltarëve të NATO-s pranë Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës. (ATSh)