Në Forumin që do të mbahet nesër në Romë (ora 10.30, rruga S. Andrea delle Fratte, 16) do të diskutohen propozimet alternative të PD-së për ligjin mbi imigracionin
Romë, 23 mars 2012 – “Shfuqizimi i Bossi-Finit është i domosdoshëm”. Është e bindur Livia Turco, presidente e Forumit të Imigracionit të PD-së.
“Në vite, ligjin e kanë dënuar qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë institucionet më të larta të BE-së. Është e udhës – vazhdon Turco në një komunikatë – që, tani më shumë se kurrë, të kalohet nga premtimet në fakte. PD vazhdon të promovojë metodën e përballjes me çështjen dhe po përpunon një propozim alternativ të administrimit të imigracionit të bazuar mbi një vizion largpamës dhe larg çdo forme demagogjie”.
Nesër, më 24 mars, PD do të paraqesë propozimet e saj në këtë aspekt, gjatë Forumit të Imigracionit. Takimi është për në orën 10.30 pranë sallës së konferencave të PD-së në Romë, në rrugën S. Andrea delle Fratte, 16. Takimi do të hapet me relacionin e presidentes së Forumit, Livia Turco, që do të bëjë një bilanc të asaj çka ka bërë deri më sot qeveria aktuale.
Në Forum do të jenë të pranishëm përfaqësues institucionesh dhe të shoqërisë civile që janë konsultuar për përgatitjen e propozimeve, nga shoqatat, të komunitetet e huaja, nga administratorët lokalë të sindikatat. Do të marrin fjalën mes të tjerëve edhe aktivistët shqiptarë Esmeralda Tyli dhe Ismail Ademi.
Me këtë rast Forumi do të çelë edhe fushata e re sensibilizuese mbi temat e qytetarisë që kanë të bëjnë me italianët e rinj duke filluar nga aksesi në sport dhe lufta kundër diskriminimeve.