in

Taksa më të larta, rroga më të ulëta

Në pagat e muajit mars janë aplikuar rritjet e “shtesave rajonale” dhe në disa raste, edhe ato të “shtesave komunale”. Shpëtojnë vetëm ata që fitojnë deri në 8,030 në vit

Romë, 27 mars 2012 – Nëse rroga e marsit është më e ulët se zakonisht, mos merrni inat punëdhënësin. Nuk është bërë ai më dorështrënguar, janë rritur taksat.

Surpriza e pakëndshme në bordero është rrjedhojë e manovrës së fundit ekonomike, e ashtuquajtura “Dekreti për shpëtimin e Italisë”, i cili parashikon një rritje prej 0,33% të “IRPEF shtesë rajonale. Kjo është një taksë mbi të ardhurat që shkon për financimin e rajoneve. Edhe pse ndryshimi mund të duket shumë i  vogël, ai do të ndihet në xhepat e të gjithë taksapaguesve.

Qendra e Asistencës Fiskale Kombëtare e sindikatës CISL ka bërë një simulim për të kuptuar përmasat e ndikimit të kësaj takse mbi disa lloj taksapaguesish. Për shembull, do të paguajnë 51 euro më shumë në vit ata kanë  një pagë bruto prej 1,200 eurosh në muaj, 73 euro më shumë në vit nëse paga bruto është  1700 euro, 94 euro më shumë në vit nëse paga bruto mujore është 2.200 euro, 137 euro më shumë në vit në rastin e një page mujore bruto prej 3200 eurosh.

Por jo vetëm kaq. Falë një manovre tjetër ekonomike, të miratuar në gushtin e kaluar, mund të rritet deri në 0.8 për qind edhe “shtesa  komunale e tatimit mbi të ardhurat”, taksë që financon komunat. Por janë kryetarët e komunave që duhet të vendosin këtë ndryshim, dhe deri tani kanë lëvizur pak prej tyre.

Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e taksës shtesë do të jenë punonjësit me të ardhura më të ulëta, të cilët edhe tani nuk paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Për të “shpëtuar” duhen fituar maksimumi 8.030 euro në vit.

Elvio Pasca

Vetëm busulla e Katër i Radës mbërrin në Vlorë

A jua kanë dorëzuar CUD-in?