Reagon PDIU: “Hakmarrje e ulët ndaj drejtësisë shqiptare. Kjo aleancë me shkelësin e ligjit në arrati Disho dhe nëpërkëmbje e përfaqësuesve të organeve të ligjit, bie ndesh me parimet bazë të funksionimit të një shteti të lirë e demokratik”
Tiranë, 19 prill 2012 – Dënuan kreun e OMONIA-s, Naum Disho, me 1 vit burg për dhunim të varreve, në Boboshticë. Tani gjyqtarët e çështjes nuk lejohen të hyjnë në shtetin grek nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës me argumentin se janë të padëshiruara për shtetin grek dhe të rrezikshme për rendin dhe sigurinë e vendit.
E para që është përballur me veprimin e paprecedentë të krijuar nga autoritetet greke ka qenë kryetarja e gjykatës së Apelit Entela Prifti. Gjyqtarja Prifti pohon në News24 se në datën 4 prill ka qenë duke udhëtuar me familjen e saj në shtetin helen, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, por ka mbetur e bllokuar në shtetin grek, ndërsa i është refuzuar hyrja.
E njëjta situatë është paraqitur edhe me kolegen e saj Brunilda Mano, të cilës i është treguar një fletë dy gjuhëshe shqip-greqisht me motivin e refuzimit të hyrjes në Greqi, ndërsa i është vendosur kryqi në vendin ku citohej se personi paraqet rrezikshmëri.
Rasti më i fundit ka qenë ditën e hënë, me gjyqtaren e Faktit Afërdita Maho, e cila së bashku me familjen ka tentuar të kalojë në shtetin grek, por edhe pse dy vajzat e saj kanë pasaportë amerikane sërish nuk janë lejuar nga doganierët grekë duke i konsideruar si persona me rrezikshmëri të lartë.
I vetmi që i ka shpëtuar këtij penalizmi ka qenë gjyqtari i Apelit Stavri Kallco, i cili kërkoi pafajësi për Naum Dishon.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu indinjatën për sjelljen e fundit të organeve shtetërore greke, për kthimin mbrapsht në kufi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Korçës, që në mënyrë të ligjshme dënuan shkelësin e ligjit, tashmë të arratisur Naum Disho.
Me një një deklarate për shtyp, PDIU shprehet se “kjo aleancë me shkelësin e ligjit në arrati Disho dhe nëpërkëmbje e përfaqësuesve të organeve të ligjit, bie ndesh jo vetëm me parimet e promovuara nga Bashkimi Evropian, por edhe me parimet bazë të funksionimit të një shteti të lirë e demokratik”.
“Ky veprim i ulët është një përshkallëzim i sjelljes aspak dinjitoze të deritanishme të autoriteteve kufitare greke ndaj shtetasve shqiptarë që kanë lindur në trojet autoktone shqiptare të Çamërisë dhe flet për një axhendë të qartë shoviniste, që po përvijohet në nivele shtetërore greke e që vë në pikëpyetje jo vetëm fqinjësinë e mirë në rajon, por edhe nivelin e modernitetit të këtij shteti”, vijon deklarata e PDIU-së.
“Ministria jonë e jashtme duhet të kërkojë sqarime për aktin më të fundit të pahijshëm ndaj përfaqësuesve të institucioneve tona të drejtësisë. Gjithashtu, ne do vihemi në kontakt me organizatat greke të të drejtave të njeriut, që të bëjnë presion ndaj shtetit të tyre, që mos të rrëshqasë në forma arkaike të shovinizmit prej frustrimit që vjen nga kriza ku elita aktuale politike e ka zhytur vendin fqinj”, thuhet më tej.