in

Autocertifikimet. Sqarimet për imigrantët

Ja kur nevojiten certifikatat në origjinal (rasti i certifikatës së përshtatshmërisë së banesës) dhe kur nuk duhen (procedurat për shtetësinë). Qarkorja e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe e asaj të Administratës Publike e të Thjeshtëzimit e 17 prillit

Roma, 26 prill 2012 – Nga 1 janari 2012 kanë ardhur në fuqi risi të rëndësishme lidhur me autocertifikimet e që qytetarët duhet t’i paraqesin administratës publike, rregulla që vlejnë edhe për të huajt që jetojnë në territorin italian.

Në thelb parashikohet që administrata publike duhet të sigurojë vetë certifikatat lidhur me statuse, fakte e cilësi të qytetarëve që paraqesin praktika të ndryshme zyrave të saj, si për shembull regjistrim në shkollë, apo kërkesë për të kryer punë të pavarur. Zyrat e autorizuara për lëshimin e certifikatave, kryesisht komunat dhe minibashkitë, edhe me rregullat e reja, mund t’i lëshojnë akoma (certifikata rezidence, shtetësie, trungu familjar) por duke u shënuar “kjo certifikatë nuk mund t’i paraqitet organeve të administratës publike apo administruesve privatë të shërbimeve publike”.

Të shumta dyshimet që lindën rreth mundësisë së aplikimit të këtyre dispozitave për praktika të lidhura drejtpërdrejt me çështje të imigracionit, edhe për faktin se Dekreti Presidencial 445/2000 që disiplinon rastet e vetëcertifikimit, përjashton aplikimin e tyre kur certifikatat parashikohen nga ligje speciale dhe nga teksti unik për imigracionin që futet kështu në kategorinë e ligjeve speciale.

Për rrjedhojë, në procedurat që kanë si objekt lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit, apo kërkesat për bashkimet familjare, rregullat e reja mbi vetëcertifikimet nuk janë të vlefshme.

Një qarkore e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe e asaj të Administratës Publike e të Thjeshtëzimit e 17 prillit sqaron rastet në të cilat vetëcertifikimi mund të përdoret edhe nga shtetasit e huaj, deri më 2013 kur parashikohet që edhe emigrantët t’u japin lamtumirën certifikatave. Ja cilat janë pikat kryesore të qarkores.

Çfarë nuk mund të vetëcertifikojnë shtetasit e huaj

Qytetarët jokomunitarë nuk mund të vetëcertifikojnë fakte, statuse apo cilësi personale (edhe pse të verifikueshme nga autoritetet italiane kompetente) sa herë që paraqesin një praktikë lidhur me lejen e qëndrimit dhe bashkimin familjar. Kështu për  shembull, për përtëritjen e lehjes së qëndrimit për studime, apo për të kërkuar lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë për bashkëshortin do të jetë e nevojshme t’i bashkëngjitet kërkesës certifikata e regjistrimit në shkollë dhe certifikata e provimeve të dhëna apo certifikata e përbërjes familjare, në rastin e dytë. Zyrat publike që lëshojnë këto certifikata, duhet të shënojnë shprehimisht “certifikatë e lëshuar për procedurat e disiplinuara nga normativat mbi imigracionin”. Natyrisht kjo do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2012 pasi nga 1 janari i vitit të ardhshëm rregullat e vetëcertifikimit e parashikuara nga Dekreti Presidencial 445/2000 do të vlejnë për të gjithë.

Nuk mund të vetëcertifikohet asnjëherë përshtatshmëria e banesës

Dokumenti i përshtatshmërisë së banesës (idoneità alloggiativa), i nevojshëm kur paraqitet kërkesë për bashkim familjar apo për leje qëndrimi BE edhe për familjarët (bashkëshort e fëmijë) nuk është e nuk do të jetë asnjëherë një dokument që mund të vetëdeklarohet, sepse përshtatshmëria e banesës “është një dëshmi teknike që lëshohet nga zyrat komunale që nuk ka karakterin e certifikatës së zakonshme”.

Certifikata apo vetëcertifikime për praktikat e shtetësisë?

Qarkorja qartëson që për të gjitha procedurat që lidhen me njohjen e shtetësisë italiane vlejnë rregullat e përgjithshme të vetëcertifikimit pasi ligji mbi shtetësinë (nr. 91/92) nuk hyn në sferën e ligjeve speciale.

Kjo do të thotë që, prej 1 janarit 2012, qytetarët jokomunitarë mund të paraqesin vetëcertifikimet lidhur me rezidencën e tyre në Itali, përbërjen familjare, veprat penale në ngarkim dhe do të jetë administrata që përpunon praktikën (prefektura apo komuna) ajo që do të sigurojë dokumentacionin nga zyrat e tjera të administratës publike.

Por kjo nuk përjashton që të gjitha aktet, cilësitë e situatat personale që autoritetet italiane nuk mund të verifikojnë sepse kanë ndodhur në një shtet tjetër, të dëshmohen me dokumentacion të përshtatshëm, të legalizuar (në rastin e shqiptarëve vetëm me vulë apostille) dhe me përkthim të betuar të siguruar në vendin ku janë verifikuar.

Avv. Mascia Salvatore

Shkarko qarkoren

Filmat italianë në Durrësin pa një kinema

‘Fëmijët e Afrikës’ e artistit Agim Sulaj fiton çmim 3° në Lisbona