Në klasifikimin ndërkombëtar San Pellegrino World’s Best Restaurant 2012, për të tretin vit, renditet Norma e Kopenhagënit. Shefi i kuzhinës së këtij restoranti është 34-vjeçari me origjinë shqiptare Rene Redzepi (Rexhepi). Ndër 50 më të mirat, ka vetëm tre restorante italiane
Romë, 2 maj 2012 – U zhvillua në Londër edicioni i vitit 2012 i San Pellegrino World’s Best Restaurant, garë që rendit 50 restorantet më të mira të botës të gjykuara nga 837 ekspertë të një jurie ndërkombëtare. Për të tretën herë vendi i parë i shkoi restorantit Norma të Kopenhagënit, ku shef kuzhine është Rene Rexhepi (ka babain shqiptar nga Maqedonia, ndërsa nënën daneze).
“Edhe klasifikimet, në fund të fundit, janë një lojë. Një herë je në krye, pastaj zbret e më pas ngjitesh”. Kështu e ngushëllon veten Massimo Bottura, chef me tre yje i “Osteria Francescana” në Modena, që këtë vit prin mes italianëve duke u renditur i pesti ndër 50 më të mirët. Veç të tijit, vetëm dy restorante të tjera arrijnë të futen në 50-shen e artë: “Le Calandre” e Rubanos, me shef kuzhine Max Alajmo (në vendin 32°) dhe “Il Canto” i Sienës, me shef Paolo Lopriore, në vend 46°.
“Kuzhina e Rexhepit – shkruan Corriere della Sera – është me bazë algash dhe perimesh të Veriut të ftohtë. Kohët e fundit, ai ka qenë edhe në kopertinën e revistës së famshme Time. Në fitoren e tij të parë planetare, deklaronte: “Në dy ditë më erdhën e-mail-e për 100 mijë prenotime. Duke llogaritur sasinë e vendeve të restorantit, kemi punë të siguruar për 15 vjet”. Kështu që edhe pse klasifikimet mund të jenë vërtet lojë, praktikisht arrijnë të vendosin të ardhmen e një restoranti dhe atë të personelit të tij”.
Italia, që dikur kishte gjashtë restorante mes 50 më të mirave të botës, sot ka vetëm tre. Franca dhe Spanja ruajnë të njëjtat shifra si në edicionet e mëparshme, respektivisht 7 dhe 5 ndër 50 më të mirët. ShBA ka 8 restorante në klasifikim ndërsa rritet Azia me 6 emra.