in

Jashtë Borghezio nga Parlamenti Europian

“Shqipëria, vend i botës së tretë, nuk bën pjesë në komunitetin europian – sqaron Borghezio – Ndonjëri dëshiron ta fusë, por ne jo!”

Romë 14 maj 2012 – Një person ksenofob e racist si Mario Borghezio meriton të zërë vend në Parlamentin Europian? Batutat e fundit përçmuese të europarlamentarit legist, në emisionin La Zanzara të Radio 24, kishin në qendër Shqipërinë, “Vend i Botës së tretë”.

Duke marrë shkas nga diplomimi i Renzo Bossit në Shqipëri, Borghezio nuk humbet rastin të flasë kundër shqiptarëve – por jo shqiptareve që konsideron punetore, ndryshe nga meshkujt “che non fanno un cazzo”, përt ta thënë me fjalorin e tij plot nuanca – dhe Shqipërisë që konsideron “Vend të botës së tretë”, “Vend të bukur, po t’i heqësh shqiptarët”. Borghezio nuk e njeh Shqipërinë ashtu siç nuk njeh shqiptarët, as ata qindra mijëra që jetojnë në Itali – ndaj të cilëve (ashtu si ndaj të gjithë imigrantëve) ka shprehur ksenofobinë e tij – e ndonjë vlerësim i mirëfilltë prej tij nuk mund të pretendohet. Por, as nuk mund të thotë çfarë t’i dojë qejfi për një vend që pritet të marrë statusin e Vendit kandidat në BE.

I nxitur nga drejtuesi i emisionit, Giuseppe Cruciani, që e nis bisedën me Borghezion duke i kujtuar ironinë e publikut me batutën e famshme të Legës të kthyer në “Lega tiene … Durazzo” pas diplomës shqiptare të Troftës, Borghezio mban menjëherë qëndrim duke thënë: “Nuk është e vërtetë, lajmi u përgënjeshtrua. Asnjë prej nesh nuk frekuenton Shqipërinë, që po t’i heqësh banorët është një vend i mrekullueshëm”. “Mbi shqiptarët secili ka mendimin e vet, unë kam një mendim timin. – dhe shpjegon – Ato pak herë që kam qenë në Shqipëri sipërmarrësit italianë atje më kanë thënë se ishin shumë të kënaqur nga gratë shqiptare që punojnë shumë, ndërsa burrat nuk bëjnë asgjë, rrinë gjithë ditën në kafene duke pirë nargjile, janë kushërinj të afërt të arabëve”. E kundërshtimeve të Crucianit e të Parenzos nga studioja përsërit i bindur: “Mjafton të shkosh në Tiranë dhe e sheh që gratë punojnë rëndshëm ndërsa burrat nuk lëvizin as gishtin (“Non fanno un cazzo” thotë legisti në gjuhën e tij)”.

“Bossi edhe mund të përgënjeshtrojë – thonë nga studioja, – por fakt është që ajo diplomë ekziston, që dekani i universitetit thotë se ia kanë lëshuar Renzos?”

“E kush e thotë dekani i një universiteti në Tiranë? – ia kthen prerazi Borghezio, duke kujtuar se ç’është sipas tij Shqipëria – Shqipëria ka qenë edhe koloni e Serenissimas, por sot është ajo që është, ka administratën që ka. Nuk them ta fshijmë nga faqja e dheut, është një vend i botës së tretë që duhet ndihmuar…”

“Shqipëria nuk bën pjesë në komunitetin europian – sqaron Borghezio – ndonjëri dëshiron t’i fusë, por ne jo!”

“Fatmirësisht shqiptarët nuk vijnë më në Itali, kanë kuptuar që janë më mirë atje ku janë, se te ne me qeverinë Monti. E sidoqoftë “nuk thashë asnjëherë që shqiptarët janë koqe kandari (“parole di Borghezio: “Mai detto che gli albanesi siano dei coglioni”).

Ky është mendimi që Borghezio shpalosi mbi Shqipërinë. Në mos racist, përçmues e ofendues për shtetin që pretendon të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat në BE. A do të ketë reagim zyrtar? 

Në pritje, të ngremë vetë zërin kundër Borghezios në Parlamentin Europian. Aderoni në fushatën Jashtë Borghezio nga Parlamenti Europian 

Shqiptari i Italise

Leggi in italiano: Borghezio fuori dal Parlamento Europeo

Lexo edhe:

Borghezio: “BE po lejon vërshimin e romëve nga Shqipëria e Bosnja”
Maroni: “Ne legistët, racistë sepse na leverdis”
Borghezio: “Basta modelle straniere, meglio le miss padane”
Bëma e fundit e Borghezio-s: “Një web-site kundër imigrantëve”
Legisti Borghezio mban anën e xhelatit norvegjez 

 

Eurovision. Në provën e saj të parë në skenë, Rona Nishliu mahnit me vokalin

Migena Proi, fituese e konkursit Lingua Madre