Konsullata e Milanos nuk varet administrativisht nga Ambasadori Llesh Kola: “Unë mund t’ju flas për modelin tonë të punës: u shërbejmë të gjithëve që paraqiten në dyert e zyrës konsullore në Romë pa parë orar e pa asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikon ligji”.
Romë, 18 maj 2012 – Prej rreth dy muajsh Bota Shqiptare i kishte shtruar ambasadorit tonë në Romë, zotit Llesh Kola, një sërë pyetjesh mbi prenotimin me pagesë të shërbimeve konsullore në Milano. Pas shumë kohësh u përgjigj (në të vërtetë, pa u dhënë përgjigje pyetjeve tona).
Para së gjithash ambasadori sqaron “Konsullata e Milanos nuk varet nga ana administrative nga Ambasada, por drejtpërdrejt nga Ministria. Pyetjet e gazetës ia përcolla që të gjitha ministrisë së Jashtme nga varet ajo konsullatë dhe deri tani nuk më është kthyer asnjë përgjigje. Siç ju tha edhe ministri i Jashtëm, çështja po shqyrtohet”.
Por këtë deklaratë e bëri në fund të marsit bashkë me “shqiptarët nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikohet me ligj”. Ka kaluar mjaft kohë e deri më sot nuk ka asnjë reagim e ndërkaq shqiptarët vazhdojnë të prenotojnë me pagesë.
A dini të jetë marrë ndonjë vendim në këtë aspekt?
“Siç ju thashë nuk kam asnjë njoftim. E vetmja gjë që unë mund të them është se zyra konsullore në Romë ofron modelin e saj të punës. Edhe mua më është ofruar një shërbim i tillë prenotimi me pagesë për zyrën e Romës por nuk e kam pranuar. Këtu u shërbejmë të gjithëve shtetasve shqiptarë që paraqiten në sportel, edhe sikur punonjësve të konsullores t’u duhet të rrinë në punë deri në 7 të darkës. Pa prenotim, pa asnjë qindarkë më shumë nga ç’janë tarifat shtetërore. Shtimin e fluksit jemi përpjekur ta zgjidhim duke shtuar një person në ndihmë të ekzistuesit që merret me pasaportat”.
Sa vetë paraqiten në ditë dhe ç’personel ka zyra konsullore e Romës? “Tani punojnë tre vetë për pasaportat dhe u bëjnë ballë një fluksi mbi 100 vetë në ditë, duke marrë parasysh ata që vijnë për të aplikuar e ata që vijnë për të tërhequr pasaportat e gatshme. Por për këtë mund të përgjigjen më sakte në zyrën konsullore”.
Kur i vëmë në dukje se “Qeveria shqiptare me vendim arbitrar të sajin nxjerr nga qarkullimi pasaportën e modelit të vjetër për dy muaj (në janar u komunikua që nga 1 marsi pasaporta e vjetër nuk do të ishte më e vlefshme) duke i detyruar të gjithë shtetasit të pajisen me biometriken” dhe e pyesim “A nuk është detyrë e qeverisë, të paktën, të ndalojë spekulimin – sidomos të zyrave të administratës publike – që mund të bëhet në këtë periudhë veçanërisht problematike për thuajse një të tretën e popullsisë që jeton jashtë vendit e që duhet të pajiset detyrimisht me dokumentin?” ambasadori përgjigjet shkurt “Nuk komentoj vendimet e qeverisë, i zbatoj ato. Dhe e përsëris, në zyrën konsullore të Ambasadës në Romë janë marrë masat e po punohet me orare të zgjatura që asnjë shqiptar të mos kthehet mbrapsht pa mbaruar punë. Kjo është rrugëzgjidhja jonë. Madje mund të them që ka pasur raste që shqiptarë nga veriu i Italisë kanë zgjedhur të aplikojnë në Romë pasi e dinë që këtu mbarojnë punë më shpejt se në Milano”.
Keti Biçoku
Lexo edhe:
Taksa-shtesë mbi dokumentet e Republikës Autonome të Konsullatës Shqiptare në Milano