in

Kronika Provinciale në Festivalin e Kulturës Shqiptare në Torino

Dy veprimtari të shoqatës Vatra sjellin dy shkrimtarë shqiptarë para publikut të zonës. Elvira Dones e cila pak ditë më parë kishte marrë pjesë në Festival della Poesia të Mantovas, dhe Ylljet Aliçka në Torino, si skenarist e bashkëregjisor i filmit “Kronikë provinciale” shfaqur në kuadër të Festival della Cultura Albanese

Më 16 Shtator 2009, u shfaq në Torino, për herë të parë në Itali, filmi Shqiptar “Kronikë Provinciale” me regji të Artan Minarollit dhe skenar të Ylljet Aliçkës.
Veprimtaria e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare “Vatra”, në bashkëpunim me Associazione I313 u zhvillua në kuadër të projekteve “Festival della Cultura Albanese”, mbështetur nga Regione Piemonte dhe “Cinemainstrada”, festivali shëtitës që zhvillohet tashmë prej 6-të edicionesh në Torino.

Karakteristika kryesore e Cinemainstrada është shfaqja e filmave të zgjedhur të kinemasë botërore në gjuhë origjinale, me nëntituj në Italisht, në sheshet e Torinos. Por jo në sheshet-sallone, ato më elegantet, që pozojnë për kartolinat dhe e nuk e zhveshin kurrë uniformën e paradës. Kinemaja e këtij festivali origjinal e krejt të veçantë projektohet në sheshet dhe këndet më të jetuara të qytetit. Ato që gjatë ditës gumëzhijnë nga gjallëria e tregjeve karakteristike dhe ecejaket e njerëzve të zënë me jetën e përditshme.

Më i madhi, më i zhurmshmi, më i larmishmi e më i bujshmi i këtyre shesheve-agorà, – në Torino e në të gjithë Piemontin, – është padyshim Porta Palazzo.
Nga e Hëna e deri të Shtunën ai është teatër i tregut më të madh ushqimor të qytetit. I mbuluar me tezga dhe i rrethuar nga të katër anët nga dyqane të vogla e të mëdha që tregtojnë prodhime nga e gjithë bota, Porta Palazzo është gjithashtu edhe zemra e zonës më të madhe multi-entike të Torinos. Simbol i bashkëjetesës, – jo përherë të lehtë, të qetë e të lumtur, – të popujve e kulturave të ndryshme, Porta
Palazzo është edhe vend-ndodhja e njërës prej xhamive të para të qytetit e të krejt rajonit.

Pikërisht në këtë sfond shumëngjyrësh, jo larg hyrjes së xhamisë në fjalë, ku besimtarë të shumtë faleshin për lutjen e mbrëmjes, u shfaq premiera Italjane e “Kronikës Provinciale”. Në të mori pjesë edhe njëri prej autorëve, skenaristi i filmit, shkrimtari Ylljet Aliçka, aktualisht Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe pranë Unescos.

Rreth 250 spektatorë të të gjitha moshave e të shumë kombësive e mikpritën përsëdyti Ylljet Aliçkën, që ka debutuar në Torino me “Parrullat”, në vitin 2007.
Publiku shijoi dhe duartrokiti humorin e batutave të filmit, pamjet e bukura të sokakëve të Beratit, mjeshtërinë artistike të kastit të aktorëve të përzgjedhur, ku spikasnin emrat më në zë të kinematografisë Shqiptare, risinë e Tedi Papavramit në rolin e aktorit, si edhe, natyrisht, interpretimin (dhe bukurinë) e Arta Dobroshit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, autori Ylljet Aliçka, pasi falënderoi pjesëmarrësit e shumtë, u shpreh se “nëse ka një vlerë që Shqipëria mund ti japë Europës dhe që mund të pasurojë mozaikun e vlerave Europiane ajo është toleranca fetare.”
Kjo duket të jetë vlerësuar edhe nga shikuesit e shumtë arabë, nga Maroku, Egjipti, Tunizia, etj., të cilët kundronin kureshtarë hoxhën Mirush Kabashi, që ju këndonte në gjuhën e tyre drejtpërdrejt nga ekrani i madh. Duartrokitjet e tyre në kor me spektatorët e tjerë shënuan edhe kalimin me sukses të sprovës së shfaqjes së filmit përballë një publiku mysliman.

Vatra, shtator 2009

Emigrantët dhe radhët e ferrit për kartat e identitetit

Rikthimi i Ilir Shaqirit