in

Polici që qëlloi me armë e vrau vite më parë 19-vjeçarin Alikaj, sot dekorohet

Agatino Russo në vitin 1997, kur ishte agjent i policisë rrugore të Seriates, vrau Julian Alikajn që largohej nga një makinë e vjedhur. Pas nëntë vjetëve gjykata e nxori të pafajshëm për parashkrim të veprës penale, por Italia u ddënua nga Strasburgu t’i paguante familjes Alikaj 155 mijë euro.
Agatino Russo sot dekorohet për merita në një operacion të kohëve të fundit kundër një organizate trafikantësh droge

Romë, 1 qershor 2012 – Corriere della Sera sjell rastin e çuditshëm të një agjenti policie që në vitin 1997 qëlloi dhe vrau një të ri shqiptar gjatë një ndjekjeje, por që sot dekorohet për merita gjatë një operacioni të kohëve të fundit në luftën kundër trafikut të drogës.

Polici quhet Agatino Russo, në 2 dhjetor 1997 ishte agjent i policisë rrugore kur gjatë ndjekjes së 19-vjeçarit Julian Alikaj që largohej nga një makinë e vjedhur në fushat përgjatë autostradës A4, i qëlloi dhe e la të vdekur. “Qëllova pa dashje sepse rashë” u mbrojt gjithmonë Russo. U gjykua për vrasje, por gjyqi zgjati plot nëntë vjet dhe në fund, gjykatësit e Krimeve të Rënda të Bergamos, që e pranuan versionin e tij dhe e konsideruan vrasjen nga pakujdesia, e lanë të lirë Agatino Russon për parashkrim të veprës penale.

Është histori e vjetër, agjenti i ka mbyllur hesapet me drejtësinë, edhe falë ngadalësisë së drejtësisë në Itali. Agjenti i mbylli telashet e veta por ndërkohë i hapi probleme shtetit italian: në mars të vitit 2011 Kolegji evropian për të drejtat e njeriut, të cilit iu drejtua familja e Alikajt, ka dënuar Italinë të shpërblejë familjarët e viktimës me 155 mijë euro. Vendimi i Strasburgut ishte i ashpër ndaj policit: nuk kishte asnjë element për të cilin të besonte që personi që ia mbathte të përbënte rrezik për të, duke e ndjekur në errësirë me pistoletën në dorë ishte treguar i pamatur. Gjykata evropiane pati fjalë të rënda edhe për hetimet: fillimisht u lanë në dorë të policisë, padyshim të njëanshëm. E së treti, Kolegji kritikoi gjykatësit e Bergamos duke deklaruar se aplikimi i parashkrimit në këtë rast hyn në “atë kategori masash të papranueshme, pasi ka si pasojë të pengojë një dënim”.

Ndërkaq për atë vrasje të kryer nga Agatino Russo, shteti italian, pasi i kërkoi pa rezultat Gjykatës evropiane revizionimin e sentencës, i ka paguar familjes së Julian Alikajt 155 mijë euro. Madje sipas avokatit të familjes, Gjykata e Apelit e Venecias ka nxjerrë një dekret sipas të cilit ministria e Drejtësisë duhet të paguajë 15 mijë euro për kohëzgjatjen e procesit. Gjykatësit kanë dënuar edhe ministrinë e Brendshme me pagimin e 670 mijë euro (por kjo sentencë po shqyrtohet në apel).

Për të gjithë sa më lart, është e pabesueshme që shteti italian të dekorojë sot të njëjtin polic që i ka hapur jo pak telashe, edhe sikur të konsiderohen të mbyllura hesapet e tij me drejtësinë për vrasjen e djalit të ri. Në fakt pak ditë më parë emri i tij është shfaqur mes 13 emra policësh të dekoruar nga Kuestura për merita të veçanta në punë. Sipas motivimit të dekoratës, “sepse është dalluar në një operacion të policisë gjyqësore, që falë një sërë arrestimesh të kryera në provinca të ndryshme të Italisëka mundësuar ndërprerjen e trafikut ndërkombëtar të substancave narkotike”. Vitin e shkuar një tjetër “fletë lavdërimi”, gjithnjë për një operacion kundër drogës.

Si është e mundur një gjë e tillë? “Ministria merr propozimet për dekorime dhe i vlerëson. Ai ka marrë një dekoratë dhe kjo gjë nuk ka të bëjë me procesin gjyqësor. Janë dy histori të ndara, nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën” janë komentet që japin në Kuesturën e Bergamos.

 

Tërmeti në Emilia. Vdekje e dëme pa fund

‘Unë jam Shqiptar’ – Mbrëmje artistike në Romë