Dështon të hënën edhe raundi i dytë i votimeve për presidentin, pa votim për mungesë të një kandidati konsensual. PD e LSI vazhdon të mbështesë Zaganjorin
Asnjë kandidat, asnjë votim. Me këto pak fjalë mund të përmblidhet rezultati i raundit të dytë i votimit për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Seanca zgjati vetëm tre minuta, koha e nevojshme për të shpallur mungesën e kandidatit. Partia Socialiste ka propozuar zhvillimin e raundit të tretë ditën e diel, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike ka kërkuar që votimi të kryet të premten. Gjithsesi data e raundit të tretë do të vendoset gjatë seancës parlamentare të ditës së enjte, kur deputetët do të vendosin datën e raundit të tretë të votimit për presidentin.
Ndryshe nga i pari, raundi i dytë u zhvillua pa praninë e kryeministrit Sali Berisha, i cili vazhdon të paraqesë si kandidat Xhezair Zaganjorin dhe fton opozitën të paraqesë një kandidat të vetin. Nga ana e tij kreu i PS Edi Rama, i cili është shprehur kundër zgjedhjes së Zaganjorit, nuk lëviz nga qëndrimi i tij : “opozita nuk do të propozojë kandidat të sajin, është maxhoranca që duhet ‘të propozojë disa kandidatura në mënyrë që të kemi alternative për të vendosur se kë do të mbështesim”.
Kandidatura e Zaganjorit vazhdon të mbështetet nga LSI. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta deklaroi se “Ky proces kërkon edhe një opozitë interaktive që propozon një kandidat për president. Mazhoranca nuk është refraktare për propozimet që mund të vijnë nga opozita”. I shtoi se Xhezair Zaganjori është kandidaturë e mazhorancës dhe se rrallë një person kombinon aftësi të tilla për të qenë në krye të shtetit.
Pas zhvillimit të seancës, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu zhvilloi një takim me kreun e opozitës Edi Rama dhe me kryeministrin Sali Berisha. Ai deklaroi “Mendoj që Rama dhe Partia Socialiste duhen vlerësuar për faktin që nuk po ngulin këmbë për një kandidat të majtë. Berisha duhet vlerësuar për faktin që ka propozuar dikë me të cilin ndjehet komod për të punuar dhe nuk përfaqëson interesat e ngushta të partisë. Të dy palët po përpiqen të nxjerrin një kandidat”.