Sot raundi i katërt i votimeve për zgjedhjen e presidentit. Pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit, shumica ka nxjerrë si kandidat të sajin Artan Hoxhën
Komisioni parlamentar i Ligjeve, i mbledhur paraditen e së hënës, miratoi vetëm me votat e maxhorancës, raportin që formalizon kandidaturën e z. Artan Hoxha për postin e Presidentit të Republikës, të cilën do t’ia paraqesë seancës plenare të Kuvendit në raundin e IV-t të votimit për zgjedhjen e Kreut të Shtetit.
Sipas rregullores parlamentare, deri në ora 09:00 të ditës së sotme procedura ishte e hapur për të paraqitur kandidaturat, ndërsa pas kësaj ore fillonte detyrimi i komisionit të Ligjeve për të marrë në shqyrtim kandidaturat eventuale dhe për t’i paraqitur raportin përkatës seancës plenare të Kuvendit.
Deri në afatin që përcakton rregullorja, në Kuvend ishte depozituar vetëm kandidatura e z. Artan Hoxha, si kandidaturë konsensuale e maxhorancës.
Kuvendi ka “djegur” tre raundet e mëparshme të votimit për Kreun e Shtetit, pasi pranë këtij institucioni nuk u depozitua asnjë kandidaturë zyrtare për President. Sipas nenit 87 të Kushtetutës, votimi konsiderohet i kryer edhe kur në garë nuk paraqitet asnjë kandidat.
Në fillim të garës presidenciale maxhoranca artikuloi si kandidat të sajin për postin e presidentit anëtarin e Gjykatës Kushtetutese, Xhezair Zaganjori, i cili u refuzua nga opozita, duke u konsideruar ‘kandidaturë e njëanshme’.
Në kuadër të zhvillimeve për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, vetëm një orë para fillimit të seancës së Kuvendit u mblodh dhe grupi parlamentar i PD-së dhe grupi parlamentar i PS-së.
Kush është kandidati i maxhorancës për President të ri të vendit
Maxhoranca qeverisëse prezantoi mbrëmjen e djeshme, pas takimit mes Kryeministrit Berisha dhe Kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, në të cilën morën pjesë edhe kryetari i LSi-së, Ilir Meta dhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, kandidaturën e ekspertit të ekonomisë dhe një nga analistët e njohur të medias, Artan Hoxha, për President i ri i Republikës së Shqipërisë.
Artan Hoxha, kandidat i ri i maxhorancës, për të cilin do të votojë sot Kuvendi në raundin e 4-t për zgjedhjen e Presidentit të ri, është një nga ekspertët e njohur të ekonomisë, ish- Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993), Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim; Anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010); anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë; themelues, anëtar dhe Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar, etj.
Përgjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare, Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale.
Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.
Artan Hoxha është një nga opinionistët e njohur për çështjet ekonomike, ligjore, institucionale dhe politike me një aktivitet të ngjeshur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm.
Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989). Ai është shpallur dy herë rresht, në vitet 1982 dhe 1983, fitues i vendit të parë në Olimpiadat Kombëtare të Matematikës.