in

Emigrantët braktisin Janinën

Janina si e gjithë Greqia po boshatiset nga emigrantët, shumica e të cilëve qysh para largimit nga emigracioni kanë menduar të ngrenë biznese në vendlindje

Buzë liqenit të Janinës, në Greqi, ku rrepët shekullorë dhe pemët e shumta të ftojnë për të pushuar shikon vazhdimisht shqiptarë, shumica nga jugu i vendit, disa prej tyre janë emigrantë prej 10-15 vitesh në Janinë, të tjerë vizitorë një-ditorë e disa të tjerë tregtarë, që blejnë mallra të ndryshëm.

Nga bisedat e zhvilluara mësojmë se shumica e emigrantëve shqiptarë të Janinës janë të pakënaqur, pasi nuk kanë punë, ndërsa çmimet në Greqi rriten dita ditës. Në kushtet kur perspektiva si kudo në Greqi edhe në Janinë është e zymtë, një pjesë e mirë e emigrantëve të këtij qyteti fqinj me Gjirokastrën e tyre i kanë dhënë lamtumirën emigracionit, ndërsa një pjesë tjetër përgaititen për t’u kthyer në vendlindje.

Shumë pak emigrantë vijojnë t’i rezistojnë krizës greke dhe problemeve të krijuara prej saj, por edhe këta shprehen se do të ishin kthyer në Shqipëri, por kanë fëmijët nëpër shkollla dhe nuk duan t’i shkëputin pa përfunduar studimet.

Qemali nga Gjirokastra thotë se, pas Gjirokastrës ku ka lindur, Janina është bërë qyteti i dytë i rëndësishëm për jetën e tij. “Kam ardhur në Janinë rreth vitit 1995 si emigrant, por tani prej gati një vit e gjysëm jam thuajse pa punë. Punon gruaja 3 -4 ditë në javë dhe me këto lekë vetëm sa ushqehemi.Por kështu nuk mund të shtyhet më .Gjithsesi kam vendosur që ta lë Janinën e të kthehem në Gjirokastër, ku do të hap një punishte të përpunimit të drurit”, thotë Qemali duke shtuar se tashmë me Janinën do ta lidhin vetëm kujtimet.

Apostoli nga Përmeti është një tjetër emigrant në Janinë. “Kam rreth dy muaj, që po blej e grumbulloj pajisjet e duhura dhe në shtator do të kthehem në Përmet. Kam blerë një godinë në afërsi të qytetit dhe në pranverën e vitit tjetër do të çel një punishte të përpunimit të qumështit. Këtu në Janinë kam mësuar shumë për përpunimin e qumështit dhe kjo do të më ndihmojë shumë në të ardhmen”.

Djathi dhe nënproduktet e tjera të qumështit në jug të vendit janë të një cilësie të lartë dhe me treg të garantuar”, sqaron Apostoli, i cili nënvizon se edhe dy fëmijët e tij, që kanë lindur në Janinë dëshirojnë të kthehen në Përmet.

Fatos Shehu nga Gjirokastra, pronar i një automjeti transporti thotë se, “muajt e fundit ka punuar natë e ditë duke sjellë materiale të ish-emigrantëve në Janinë, si dhe pajisjet shtëpiake të tyre”.

Janina si e gjithë Greqia po boshatiset nga emigrantët, shumica e të cilëve qysh para largimit nga emigracioni kanë menduar të ngrenë biznese në vendlindje. “Është kjo arsyeja që emigrantët sjellin me vete nga Greqia edhe pajisjet për bizneset, që do të ndërtojnë në vendin e lindjes apo qytete të tjera shqiptare “, shpjegon Fatosi.

I. Xhaferri, ATSh

Korrigjim Gabimi – Është Lida Rragami organizuesja e kongresit të Gruas shqiptare

Vritet një ushtar italian në Kosovë