39 vjeçari Xhepa është vrarë me armë zjarri e më pas është hedhur në lumë nga Giovanni Capozzo, 42 vjeç, sipas të cilit, shqiptari po i vidhte shtëpinë.
Të martën pasdite karabinierët kanë arrestuar Giovanni Capozzon, 42 vjeç nga Gioia Sannitica (Caserta) me akuzën e vrasjes dhe të fshehjes së kufomës së 39 vjeçarit Dashamir Xhepa.
Episodi për të cilin akuzohet Capozzo ka ngjarë natën e 6 korrikut, kur ka vrarë me pushkë Xhepën që kish hyrë në shtëpinë e tij për të vjedhur. Më pas e ka transportuar trupin e pajetë deri lokalitetin Fosso Lagno dhe e ka hedhur në lumin Volturno.
Capozzo dukej se poi a dilte të mbante larg hetuesit nga vetja e familja e tij. Deri dje në mëngjes kur gruaja e viktimës, rezidente në Santa Maria Capua Vetere ka marrë një telefonatë anonime me të cilën u lajmërua se i shoqi ishte plagosur për vdekje me armë në Gioia Sannitica.
Gruaja ka lajmëruar karabinierët që kanë kontrolluar të gjithë titullarët e lejeve të armëve në zonë, përfshirë Capozzon. Kur kanë verifikuar që arma e tij kishte shtënë, Capozzo ka pranuar vrasjen e Xhepës për të shmangur vjedhjen e shtëpisë së tij. Më pas ka rrëfyer edhe që ka karikuar kufomën në makinën e tij dhe e ka çuar në lokalitetin Fosso Lagno dhe e ka hedhur në lumin Volturno.
Po dje pasdite karabinierët e zjarrfikësit kanë nisur kërkimet e kufomës në lumë dhe e kanë gjetur rreth 400 metra larg vendit ku Capozzo e kish hedhur.
Sipas verifikimeve të para, Xhepa duket se ka marrë tre-katër plumba, por do të jetë autopsia ajo që do të japë më shumë informacione për vdekjen e tij.