Tragjedi në të gdhirë të 19 korrikut në Mirano të Venecias. Vdes pas lindjes nëna e re Marsida Vogli
Romë, 20 korrik 2012 – Ajo që duhet të ishte dita më e bukur e jetës së tyre u kthye në një tragjedi. Marsida 19 vjeçe, ardhur pranë të shoqit në 2010-tën, dhe Artani, 30 vjeç, prej dhjetë vjetësh në Itali presin të bëhen për të parën herë prindër. Çasti i shumë pritur, të mërkurën pasdite, kur vajza e re ka lindur të bijën 3,2 kg. Por as dymbëdhjetë orë më pas Marsida ndërron jetë për shkaqe ende të panjohura.
Marsida ka ndier dhimbjet e lindjes mëngjesin e të mërkurës dhe i shoqi, Artani e ka shoqëruar në spital në Mirano të Venecias.
Lindja rreth orës 17.20, Marsida sjell në jetë një vogëlushe të shëndetshme. Gjithçka duket se shkon më së miri, Artani qëndron me të shoqen e të bijën në spital deri vonë e në darkë kthehet në shtëpinë e çiftit në Noale. “Marsida ndihej shumë mirë – kujton më pas i shoqi. – Ndenja me të deri nga ora nëntë e gjysmë e pastaj shkova në shtëpi”.
Gjatë natës, rreth orës 2.30, Artani telefonohet nga spitali dhe një mjek i jep lajmin e hidhur e të papritur: e shoqja vdiq. Shkon me vrap në spital e u kërkon sqarime mjekëve dhe infermierëve që i gjen rreth krevatit të të shoqes.
Ajo që ihet deri tani është se e shoqja kishte kërkuar ndihmë rreth mesnatës, sepse papritur ishte ndier keq. Mjekët fillimisht i kanë bërë një masazh kardiak e pastaj e kanë futur në sallë të operacionit duke dyshuar për një hemorragji të brendshme, por nuk kishin gjetur gjë. Situata përkeqësohet edhe më dhe në dy të natës gruaja vdes. Mbi shkaqet e vdekjes ende nuk thuhet asgjë.
Të enjten Artani vendos të denoncojë ngjarjen pranë karabinierëve që kanë hapur hetimet e kanë kërkuar që gruas së re t’i bëhet autopsia.