in

Pëllumb dhe Nikolina Deçolli, 20 vjet kontribut për artin durrsak

Çifti Deçolli edhe pse në emigracion në Marconia të Materës që prej vitit 1993 kujtohen e vlerësohen në Durrës për kontributin e tyre dhënë në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Mirush Kabashi: “Pëllumb Deçolli me punën e tij nga viti 1972 deri në vitin 1993 bën pjesë te grupi i kontribuuesve të rëndësishëm në historinë 60-vjeçare të teatrit Aleksandër Moisiu”

Bashkëshortët Pëllumb dhe Nikolina Deçolli kanë shkuar këto ditë nga Marconia e Materës në Durrës për të marrë pasaportat dhe për të plotësuar dokumentacionin e pensionit, moshë së cilës po i afrohen. Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku Pëllumbi ka kontribuuar për 20 vjet dhe në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ku bashkëshortja e tij, Nikolina, ka punuar si mësuese e violës, drejtuesit, kolegët, miqtë e shokët përpiqen t’u vijnë në ndihmë dy bashkëqytetarëve artistë, veprimtaria e të cilëve i bashkohet traditës së re kulturore të qytetit të lashtë.

Kushdo që ka ndjekur sadopak jetën kulturore dhe artistike të Durrësit në vitet 1970-1980 njeh mirë Pëllumbin dhe Nikolinën, artistët e skenës, të cilët përveç kontributit 20-vjeçar përmes aktrimit dhe formacioneve orkestrale kanë punuar për përgatitjen e plot artistëve të rinj.

Nikolina, nga Durrësi në Marconia me pasionin për violën e violinën

Familja Deçolli që nga viti 1993 jeton në Marconia të Materës, në Kalabri. Megjithë vështirësitë e jetës së një familjeje emigranti, Nikolina u jep privatisht mësim studentëve të violës dhe violinës që përgatiten për provimet në konservatorin e Materës. Nuk kanë munguar as pjesëmarrjet si soliste në koncerte, apo si instrumentiste në formacionet orkestrale. “Kohët e fundit kemi dhënë shfaqje në Potenza dhe Lodi”, tregon në një intervistë për ATSh-në, Nikolina Metaraku Deçolli, e cila pohon se sistemimi në një punë të përhershme në Itali është i vështirë për shkak të statusit të emigrantit jokomunitar, që nuk lejon as konkurrimin për vende të caktuara pune. Ndërsa Pëllumbi në emigracion është shkëputur plotësisht nga profesioni i aktorit.

Nikolinën e ka marrë malli për jetën artistike të shkollës dhe të pallatit të kulturës. Kujton veprimtarinë “E enjtja muzikore”, së bashku me ambicjen e instrumentistëve për t’u paraqitur sa më denjësisht në koncertet që organizoheshin në sallën që sot mban emrin “Nikolin Xhoja”.

Dy artistët janë njohur gjatë studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Ishte fillimi i viteve 1970 dhe vajzën nga Tirana, e cila që në moshën 15-vjeçare interpretonte në violë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, e emëruan mësuese në shkollën artistike “Mujo Ulqinaku” të Durrësit, ndërkohë që Pëllumbi nisi punën si aktor në teatrin e qytetit. Do të punonte me artistë të mëdhenj. Mes tyre edhe Nikolin Xhoja, të cilin Pëllumbi e kujton si një mjeshtër të vërtetë të skenës. “Mbaj mend skenën e “komunikatës komuniste” në zyrën e “Prefektit”, ku unë luaja rolin e memecit. Nikolini ishte i jashtëzakonshëm.” thotë Pëllumbi.

Në të njëjtin plan me aktorin e madh të skenës durrsake, pedagogët e Institutit të arteve Kujtim Spahivogli e Birçe Hasko, por edhe regjisorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” Vangjel Heba, Haxhi Rama e Mario Ashiku panë te Pëllumb Deçolli talentin dhe shkëndijat e një mjeshtri në fushën e satirës dhe humorit.

Pëllumbi, 20 vjet në skenë, nga estrada në teatër

“E kam ftuar Deçollin disa herë në shfaqjet e trupës së Estradës – dëshmon regjisori i mirënjohur Gjergj Vlashi. – Kujtoj një nga skeçet ku interpretonte përkrah Artistit të Merituar Spiro Strati, skeç, i cili u bë i famshëm për shkak të batutës së Pëllumbit: ‘Dridhe Like!’”.

Më pas Deçolli u radhit përfundimisht në trupën e teatrit dramatik, me të cilën u aktivizua në dhjetra premiera. “Një nga shfaqjet e para ka qenë “Zani partizani”, ku interpretoja Seferin, shërbëtorin e beut”, kujton Pëllumbi premierën e vitit 1974. Ai mban mend se kjo shfaqje u regjistrua edhe në Televizionin Shqiptar, duke shfrytëzuar rrugicat e qytetit të Beratit, por për fat të keq si edhe shumë regjistrime të tjera TV edhe “Zani partizani” ka humbur.

Në mesin e viteve 1975 Pëllumb Deçolli i bashkohet aktorëve të tjerë të planit të humorit në teatrin “Moisiu”, Mirush Kabashi dhe Milto Profi, të cilët nën drejtimin e regjisorit dhe libretistit Haxhi Rama prodhojnë disa nga “xhevahiret” e skenës shqiptare.

“Kartela e verdhë” dhe disa vite më pas “Lojtari nr 10” që mbajnë firmën e autorit dhe regjisorit Rama bëhen “kali i betejës” për trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. “I kemi rënë Shqipërisë dy herë kryq e tërthor me “Kartelën e verdhë”, duke dhënë edhe në qytete shumë të vogla dy javë shfaqje radhazi.

Tashmë Pëllumb Deçolli kishte përvojën e nevojshme për të përballuar role të rëndësishëm të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore.

Në komedinë e Molierit “I sëmuri imagjinar”, regjisori Sokrat Mio i beson rolin e Thoma Diafarysit; Haxhi Rama e aktivizon te “Mirseerdhe Elona”; Deçolli luan rolin kryesor te “Lindja e një burri” e Ruzhdi Pulahës vënë në skenë nga Enver Plaku.  “Karnavalet” dhe “Dy herë mat” janë filmat artistikë të Kinostudios “Shqipëria e re” ku Deçolli rreshtohet në kastin e aktorëve. “Komandant Lilo prej Delvine” është një nga figurat më të spikatura të kino-operetës “Karnavalet” dhe aktori nga Durrësi ka me se të krenohet, megjithëse ai vazhdon të vuajë faktin që nuk ka thuajse asgjë të regjistruar nga krijimtaria e tij.

Mirush Kabashi: Në 60-vjetorin e teatrit edhe kontributi i Deçollit

“Pëllumbi ka një predispozitë natyrale ndaj humorit dhe për të ishte shumë e lehtë të qëndronte përballë partnerëve”. Mirush Kabashi, një nga aktorët, thuajse me të njëjtin stazh pune në teatrin e Durrësit, vlerëson karakteristikat aktoriale dhe aftësitë e lindura të Deçollit për satirën dhe humorin.

“Kemi luajtur shfaqje pa fund së bashku dhe unë kujtoj një nga të parat me titull ‘Ah, kjo traktoristja’” tregon Mirushi për kolegun, i cili pas largimit të vështirë drejt Italisë është shkëputur plotësisht nga profesioni i aktorit.

“Megjithatë, Pëllumb Deçolli, si shumë aktorë të tjerë, është një pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit të qytetit tonë, një nga më dinjitozët dhe më të njohurit në shkallë vendi”, insiston Mirush Kabashi, që aktualisht është pjesë e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Sipas tij, 60-vjetori i themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, më 11 janar të vitit 2013, përbën një rast shumë të mirë për të sjellë në vëmendje bashkë me historinë dhe vlerat e institucionit edhe kontributet e rëndësishme të shumë prej artistëve, të cilët pas viteve 1990 i humbën kontaktet e drejtpërdrejta me artin.

“Pëllumb Deçolli me punën e tij nga viti 1972 deri në vitin 1993 bën pjesë te grupi i kontribuuesve të rëndësishëm në historinë 60-vjeçare të teatrit Aleksandër Moisiu”, përfundon Mirush Kabashi. (ATSh)

Shefqet Dajiu Firmëtari i pavarësisë, i persekutuar nga diktatura

Sanatoria 2012 – Përgjigjet e ekspertëve pyetjeve tuaja