Sipas ministrit grek të Punës, nga heqja e 2.800 pensioneve, shteti grek do të kursejë rreth 14 milionë euro në vit.
Qeveria greke synon të realizojë shkurtime të reja lidhur me pensionet e minoritarëve të Shqipërisë. Ministri grek i Punës, Janis Vroutsis, bëri të ditur se do të shkurtohen 2.800 pensione të Entit Bujqësor të Sigurimeve Shoqërore (OGA) nga i cili përfitojnë të punësuarit në bujqësi dhe mijëra minoritarë grekë nga Shqipëria, bën të ditur televizioni Vizion Plus.
Ministri nuk dha detaje mbi cilat kategori të pensioneve do të ketë shkurtime dhe sa persona nga Shqipëria do të prekë kjo masë, por sipas tij, duke hequr 2.800 pensione, shteti grek do të kursejë rreth 14 milionë euro në vit.
OGA prej vitesh jep rreth 360 euro pension në muaj të gjithë atyre personave që mbajnë statusin e “homogjenit”, që vërtetojnë ligjërisht se janë shtetas grekë ose me prejardhje greke.
Në tetor të vitit të kaluar qeveria greke u hoqi pensionin më shumë se 3.500 pensionistëve në Shqipëri, me argumentin se nuk depozituan brenda afatit ligjor dokumentacionin e kërkuar.
Athina zyrtare ka nisur gjithashtu një hetim për rastet e pensioneve false, nga të cilat mijëra persona kanë përfituar për vite me radhë në mënyrë të paligjshme