Prej gjashtë vjetësh Shushica e rrethit të Elbasanit feston më 18 gusht “Ditën e Emigrantit”. Shushica mbetet fshati i vetëm në Shqipëri që përcjell emigrantët e tij me ceremoni zyrtare, por që është shndërruar në një festë mbarëpopullore
Tiranë, 18 gusht 2012 – Pika turistike e Byshekut afër qytetit të Elbasanit, që për çdo ditë pret e përcjell pushues, këtë herë ka pritur qindra emigrantë e familjarë të tyre. Prej gjashtë vitesh kryetari i komunës Shushicë, Lutfi Lala, me vendim të Këshillit, e ka shpallur 18 gushtin festë, duke e cilësuar “Dita e Emigrantit”. Ndoshta Shushica mbetet fshati i vetëm në vendin tonë që përcjell emigrantët e tij me ceremoni zyrtare, por që është shndërruar në një festë mbarë popullore. 18 gushti në këtë komunë, tashmë është shënuar në kalendarin lokal, si dita e urimit për të gjithë emigrantët e saj në vende të ndryshme të botës. Ceremonia festive që zgjat disa orë është shndërruar në festë tradicionale, ku prindër, vëllezër e motra, të afërm e shoqëria, përcjellin djemtë dhe vajzat emigrante që nisen këto ditë për të punuar në shtete të ndryshme të botës.
Në ambientet e pikës turistike të Byshekut, fshat i kësaj komune, është zhvilluar edhe këtë të shtunë një aktivitet, me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës së Shushicës Lutfi Lala, të shumë banorëve të kësaj Komune, turistëve që ndodheshin rastësisht për të drekuar në hijen e rrapeve shekullore, si dhe të këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë dhe popullore të qytetit të Elbasanit.
E konceptuar dhe e organizuar në formën e një shfaqje artistike, grupi folklorik i këngëve dhe valleve popullore tradicionale të zonës, si dhe këngëtarë të ftuar, kanë uruar me këngë e valle mërgimtarët, duke zgjuar e mbajtur gjallë në të njëjtën kohë, dashurinë, krenarinë dhe mallin për vendlindjen.
Treva, që jo pak është zhvilluar nga kontributi financiar i emigrantëve prej më tepër se dy dekadash. Në fakt pas viteve 1990 shumë të rinj të zonës shkuan emigrantë në vende të ndryshme të Europës, dhe me të ardhurat e emigracionit, i investojnë në fshatin e tyre.
Ndaj në fjalën e tij kryetari Lala thotë: “30% e popullsisë së Komunës që janë të aftë për punë, janë emigrantë në shtete të ndryshme të Europës, dhe janë këto të fundit që po e kthejnë komunën e Shushicës në një zonë turistike, dhe me të ardhura të kënaqshme”.
Shushica është në qendër të Shqipërisë dhe përbën kurorën e Elbasanit, për shkak të klimës që ajo ka, në zonën e saj kultivohen të gjitha nga perimet, agrumet deri tek arrat e gështenjat. Ashtu si historia e trevave të Elbasanit edhe Shushica ka zanafillën e vet në shekullin II para erës së re me vendbanime të hershme Ilire. Kjo zonë duke qenë edhe porta e Shpatit, gjithnjë ka pasur traditë kulturore ku është përkrahur e reja por pa u harruar tradicionalja.
Komuna ka një infrastrukturë dhe urbanistikë të rregullt, me vila, plantacione dhe ferma të vogla, duke e kthyer këtë zonë në një model jo vetëm për qytetarë elbasanas, por edhe turistët e huaj, që vizitojnë “portën e Shpatit”. (ATSh)