in

Senatori Italian. Grekët e ndalojnë në det për flamurin shqiptar

Është arritur thuajse në një incident diplomatik mes Italisë e Greqisë, për një shëtitje me barkë të senatorit PD Alberto Maritati që duke dalë nga ujërat shqiptare me flamurin shqiptar nuk është parë me sy të mirë nga policia greke. “Nuk arrij të kuptoj gjithë këtë kokëtrashësi e gjithë këtë gjendje emergjence të grekëve ndaj shqiptarëve. Është herë e parë që më ndodh një gjë e tillë në 40 vjet që vij në Greqi”.

Romë, 20 gusht 2012 – Raportet greke-shqiptare, pasojat e të cilave shumë shqiptarë i kanë vuajtur në kufi, kanë pasur të dielën një “viktimë” italiane. Senatorin Alberto Maritati (PD) që prej 40 vjetësh shkon e vjen në Greqi, në një ishull të të cilës ka edhe shtëpi. Lajmin e japin sot mediat lokale të Puglies nga është senatori, për të cilat thotë: “Për një flamur kortezie të ngritur në barkë (është fjala për flamurin shqiptar) të padëshiruar nga pala tjetër (greke) që tregohet ofenduese, mendjembyllur dhe provokuese. Jam shumë i hidhëruar. E dua Greqinë, vij këtu prej 40 vjetësh por ajo që më ndodhi më ka tronditur pa masë. Dhe qëllimi ynë ishte një shëtitje e thjeshtë në det të hapur në një të diel të nxehtë gushti”.

Senatori, që në ishullin grek Erikoussa ka një shtëpi ku shkon rregullisht për pushime, vendos të dalë me disa miq me barkën e tij, 12-metërshe që mban flamur italian. Mes njëmbëdhjetë miqve “edhe një familje shqiptarësh që prej 20 vjetësh banon në ishullin grek, dy gra shqiptare njëra me shtetësi italiane, tjetra studente në Universitetin e Salentos”, që të gjithë me dokumente të rregullta. Senatori tregon se në ujërat mes Sarandës dhe Korfuzit është e lehtë të ngatërrohesh e të hysh herë në ato shqiptare e herë të lundrosh në ato ndërkombëtare apo greke.

Ndodh që papritur anija përfundon në ujëra shqiptare ku një vedetë i kërkon të dijë pse nuk kanë ngritur flamurin shqiptar. Zakoni e do (por nuk është e detyrueshme) që kur hyhet në ujëra kombëtare, veç flamurit të vendit tënd të ngrihet edhe ai i  vendit në ujërat e të cilit ndodhesh në shenjë nderimi. “Ne u kërkuam ndjesë, ata na kontrolluan dokumentet, panë që ishte gjithçka në rregull, na i dorëzuan të vulosura bashkë me një flamur kuq e zi dhe u duk se gjithçka mori fund aty. Por nga ai çast nisën problemet tona me palën greke” tregon senatori.

Me flamurin shqiptar të ngritur krahas atij italian i drejtohemi ishullit Erikoussa, por me të hyrë në ujërat greke i menjëherëshëm kontrolli grek: “Na pyetën pse kishim flamurin shqiptar, u shpjeguam që jemi barkë italiane. Na kërkuan dokumentet e nga ai çast nisën të na trajtonin shumë keq. Na shpjeguan që duhet t’i ndiqnim në Korfuz, ndërsa njëri prej tyre simulonte gjestin e vënies së prangave. Dukej sikur kishim të bënim me një vend armik” kujton senatori. Dyshimi i ngritur nga pala greke – i pajustifikuar – ishte ai i futjes në Greqi i emigrantëve klandestinë. Me të mbërritur në Korfuz, Maritati nuk duron dot më e vë në lëvizje diplomacinë: ndërhyn një konsull dhe ambasadori italian në Greqi dhe incidenti mbyllet. Por senatorit i mbetet shija e hidhur: “Nuk arrij të kuptoj këtë kokëtrashësi e gjithë këtë gjendje emergjence të grekëve ndaj shqiptarëve. Është herë e parë që më ndodh një gjë e tillë në 40 vjet që vij në Greqi”.

Shqiptari i Italisë

Saamiya, dalle Olimpiadi alla morte sul barcone

Sanatoria{br}Si dëshmohet prania në Itali nga 31 dhjetori 2011?