Lulzim Murra është viktima e fatkeqësisë në punë që ka ndodhur të dielën në provincën e Brescias
Romë, 27gusht 2012 – Historia e Lulzim Murrës, 36 vjeç rezident në Breno, deri dje pasdite ishte e ngjashme me atë të dhjetëra mijëra shqiptarëve të ardhur në Itali në kërkim të punës e të një fati më të mirë ër fëmijët e tyre. Kishte gjetur punë në ndërmarrjen Bienno që merret me ndërrimin e mbulesave të çative të fabrikave dhe kishte marrë shtëpi në Breno ku jetonte me të shoqen. Ishte një punëtor i zoti, i specializuar në zanatin e tij.
Por dje fati i ktheu krahët. Kishte dalë të punonte edhe të dielën sepse bashkë me dy kolegë duhet të ndërronte një mbulesë të çatisë së magazinës së Fonderisë EF të Torbole Casaglias në provincën e Brescias. I kishte premtuar të shoqes se do të kthehej shpejt, por fati deshi që Lulzim Murra, të mos kthehej më kurrë pranë familjes. Ndërsa ndërronin mbulesën e çatisë së një kapanoni, punë rutinë për Murrën dhe kolegët e tij të specializuar pikërisht në heqjen e zëvendësimin e çative me materiale jondotëse, – papritur një pllakë mbuluese e çatisë është thyer nën peshën e Murrës që nuk ka mundur të bëjë asgjë për të shpëtuar pasi nuk ishte i lidhur me rripat e sigurisë që nuk do ta kishin lënë të binte.
Lulzim Murra ka rënë nga 10 metra lartësi në brendësi të kapanonit dhe kolegët që kanë vrapuar në ndihmë të tij e kanë gjetur në mes të një pellgu gjaku të pajetë. Kishte ndërruar jetë menjëherë për shkak të dëmtimeve të rënda të marra.
Karabinierët që po hetojnë për zbardhjen e fatkeqësisë duan të verifikojnë nëse janë respektuar apo jo të gjitha normat e sigurisë në punë. Ky i Lulzim Murrës është rasti i pesëmbëdhjetë nga fillimi i vitit i fatkeqësive në punë në provincën e Brescias ku kanë humbur jetën punonjësit.
Sipas Raportit vjetor INAIL, të prezantuar më 10 korrik në Dhomën e Deputetëve, gjatë vitit 2011 shqiptarët rezultojnë komuniteti i tretë për numër fatkeqësish në punë me 11.715 raste dhe i dyti për vdekjet: 21 punonjës kanë humbur jetën gjatë vitit 2011 në vendin e punës. Krahasuar me një vit më parë, edhe për ta janë ulur qoftë vdekjet e bardha (ishin 25 në 2010-tën) qoftë aksidentet në punë (12.299 raste në vitin 2010). Nga të gjitha komunitetet, kanë qenë rumunët – që kanë edhe numrin më të madh të punonjësve në Itali – ata që gjatë vitit 2011 kanë pësuar më shumë aksidente në punë, mbi 19 mijë dhe kanë pasur më shumë vdekje të bardha (43 persona kanë humbur jetën në vendin e punës).