in

Zjarret. Situatë e rënduar nga jugu në veri të Shqipërisë

Turqia vë në dispozicion një helikopter, i pamjaftueshëm për dhjetëra vatrat e zjarrit në të katër anët e Shqipërisë. Rama cicërin nga Twitter: “Në 7 vjet kemi humbur nga zjarret e abuzimet e pafundme aq shumë siperfaqe pyjore sa s’kemi humbur në 100 vjet shtet të marrë së bashku!”

Tiranë, 27 gusht 2012 – Ndërsa Shqipëria digjet, kryetari i opozitës Edi Rama, nëpërmjet rrjetit social Twitter, akuzon qeverinë, se nuk po merr masa për shuarjen e zjarreve. “Zjarret përpijnë përditë pyje të tërë në mungesë të shtetit, qeveria di veç të fajësojë opozitën. Saliu sapo inauguroi për të disatën herë të njëjtën rrugë buzë Dajtit dhe pas kurrizit të tij kishte faqen e malit të djegur para pak javësh”, shkruan Rama. Me një tjetër ‘cicërimë’ Rama thotë se “në 7 vjet kemi humbur nga zjarret e abuzimet e pafundme aq shumë siperfaqe pyjore sa s’kemi humbur në 100 vjet shtet të marrë së bashku!”. 

Në të vërtetë, situata e zjarreve në vendin tonë është problematike, në shumicën e vatrave të zjarrit nevojitet ndërhyrja nga ajri. Helikopteri i tipit “Kamov”, për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve nga ajri, në të gjitha ato zona ku është e pamundur të ndërhyhet nga forcat tokësore, i vënë në dispozicion të shtunën nga Republika e Turqisë, nuk mund të bëjë mrekullira dhe i vetëm është i pamjaftueshëm. Ai është përdorur gjatë ditës së djeshme në Lurë dhe në lartësinë e Priskës, duke kryer 24 operacione në këto zona, ndërsa gjatë ditës së sotme ai do të vijojë operacionet bazuar në planin e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile. Por megjithatë situata e rënduar e zjarreve në të katër anët e vendit mbetet deri tani e vështirë për t’u kontrolluar.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile bënë të ditur se paralelisht, në terren kanë vepruar me intensitet të plotë forca të PMNZSH-së, ekipe të Forcave të Armatosura dhe atij të Shërbimit Pyjor, me mjete zjarrëfikëse dhe të rënda, në të gjitha ato zona ku ka qenë e mundur të operohet nga toka. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë në mjaft raste edhe komunitetet në zonat e prekura nga zjarri.

Vazhdon të rëndohet situata e zjarreve në masivet pyjore të qarkut të Kukësit, e krijuar pas temperaturave të larta të stinës së verës, pa përjashtuar dhe zjarret të shkaktuara në mënyrë të qëllimshme, ndërkohë që është vështirësuar  ndërhyrja nga toka për shuarjen e flakëve.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Elez Maci bëri të ditur se situata e zjarreve në qarkun e Kukësit është mjaftë e rëndë dhe aktualisht sipas tij,  janë nën pushtetin e zjarrit  masive të  mëdha në rrethin e Kukësit dhe Tropojës.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Pyjor të rrethit të Kukësit, Shefqet Elezi sqaron se, “ndërhyrja nga toka për shuarjen e vatrave të zjarrit rrezikon jetën e punonjësve të shërbimit pyjor, si dhe ato zjarrfikës, pasi flakët përhapen me shpejtësi dhe kanë përfshirë masivet pyjore”. Elezi thotë gjithashtu se në komunën e Surrojit, ku situata është më e rënduar, sot pritet ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve të zjarrit.
Ndërkohë sipas kreut të Policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramcaj, zjarret e shkaktuara në masivet pyjore janë të qëllimshme. Ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, me qëllim shkëmbimin e informacionit  për vënien para përgjegjësisë të atyre personave që tentojnë djegjen e pyjeve, nisur nga interesat e tyre.
Për zjarrvënie të qëllimshme, Ramcaj bëri të ditur se ka nisur procedimi penal për dy shtetas, ndaj të cilëve ekzistojnë të gjitha provat  për shkaktimin e zjarrit në një prej masive pyjore në rrethin e Hasit.

Në qarkun e Kukësit, aktualisht janë disa vatra zjarri, nga të cilat ato të zonës së Surrojit dhe qafës së Kombit janë jashtë kontrollit, ndërkohë që situata ka ardhur duke u përkeqësuar në masivet pyjore të rrethit të Tropojës.
Krahas zjarreve në Dobrenj dhe në bjeshkët e Cukalit, vatra zjarri janë shfaqur edhe në zonën e Valbonës dhe atë të Lekbibajt, ku situata sa vjen e përkeqësohet.
Zjarret që kanë përfshirë masivet pyjore të zonës verilindore kanë hyrë në muajin e tretë dhe deri tani, flakët e zjarrit kanë shkrumbuar më shumë se 230 ha pyje, ndonëse inventari i saktë i dëmeve të shkaktuara nuk është bërë.
Ndërhyrja për shuarjen e zjarreve vështirësohet për shkak se një pjesë e tyre janë shfaqur në lartësinë e mbi 1500 metrave mbi nivelin e detit dhe large qendrave të banuara, ku edhe mungojnë rrugët.

zonën e Tepelenës, afro 75 hektarë kullotë dhe 10 hektarë pyll me lisa u dogjën plotësisht mbrëmjen e djeshme në malin e Shtëpëzit. Policia njofton se ka arrestuar si zjarrëvënës shtetasin Servet Sina, 62 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dhemblan, rreth 30 km larg Tepelenës. Të njëjtat burime thanë se zjarri u shfaq rreth orës 17:00 dhe është shuajtur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Këtë vit në qarkun e Gjirokastrës, deri tani janë evidentuar 11 raste zjarresh të qëllimshme. Gjatë dy muajve të fundit në prefekturën e Gjirokastrës janë arrestuar si zjarrëvënës 14 persona./s.s./

Qarkun e Dibrës ka 4 vatra aktive zjarri, në ekonominë pyjore “Lura 1”, si dhe ekonominë pyjore Kaçni, në fshatin Dragu, komuna Fushë Bulqizë dhe në Krastë, të komunës Martanesh.

E rëndë paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku ka 11 vatra aktive zjarri. Në Shkodër janë aktive dy vatra zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë dhe në fshatin Plan, komuna Pult. Në rrethin e Pukës janë aktive 8 vatra zjarri, por më problematikë janë në fshatin Orosh, të komunës Qafë Mali dhe vatra në pyllin me pisha në fshatin Flet, komuna Blerim. Zjarre në vazhdim të tjerë janë në Malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe kishte vetëm një vatër zjarri në fshatin Shkrelë, e shfaqur gjatë ditës së djeshme.

Ndërsa në Qarkun e Tiranës ka patur 2 raste zjarri aktive. Në Qafën e Krrabës, në km 29, ku përveç forcave të PMNZSH-së, FA-ve dhe atij pyjor, firma që kryen punimet në yunelin e Kërrabës, ofroi ndihmë të çmuar me mjete të rënda dhe zjarrëfikëse. Në mëngjesin e djeshëm u riaktivizua vatra e zjarrit në lartësinë e Priskës. Vatra është në distancë të konsiderueshme nga Parku Kombëtar i Dajtit dhe nuk përbën asnjë rrezik për të.

Ndërkohë Qarku Durrës ka 1 vatër aktive në rrethin e Krujës, në Qafë Shtamë.

Në Elbasan ka 1 vatër aktive në rrethin e Librazhdit, në fshatin Letëm, komuna Lunik.

Qarkun e Korçës ka 1 vatër zjarri aktive, në Bozdovec, ndërsa në Lezhë ka 2 vatra aktive zjarri, në fshatin Malaj, bashkia Rreshen dhe në fshatin Gallatë.

(Sipas ATSh)

Ndahet nga jeta piktorja Safo Marko

Mëse 225 mijë shqiptarë në timon me patentë italiane