Janë 2,6 milionë të huajt me patentë italiane. Në podium rumunët, marokenët dhe shqiptarët, që janë edhe komunitetet më të mëdha të të huajve në Itali. Ashtu si kolegët e tyre italianë vuajnë ngritjen e çmimit të benzinës, e më shumë se ata tarifat e larta të sigurimit të automjeteve
Romë, 27 gusht 2012 – Janë gjithnjë e më të shumtë të huajt në Itali që për nevojë apo për pasion përdorin motorin apo makinën. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Transporteve, janë 2,6 milionë patentat që mbahen nga persona të lindur jashtë Italisë, e thënë ndryshe 7% e patentave italiane mbahen nga këta persona. Kryesisht janë persona të lindur në Rumani (rreth 380 mijë), Marok (rreth 230 mijë) dhe Shqipëri (225.126, sipas statistikave të 24 korrikut 2012), renditje që korrespondon edhe me kombësitë më të pranishme në numër në territorin italian.
Të huajt janë gjithashtu klientë të mirë të koncesionareve të makinave, sidomos të atyre që shesin makina të përdorura – sepse vijnë në Itali me gomone, anije, avion apo autobus, por makinën apo motorin në shumicën dërrmuese të rasteve e blejnë këtu. Gjithnjë sipas të dhënave të ministrisë, rreth 3 milionë mjete të motorizuara (6% e të gjithave) kanë për pronarë persona të lindur jashtë Italisë. Edhe në këtë rast kryesojnë renditjen rumunët (420 mijë), marokenët (365 mijë) dhe shqiptarët me 261.472 automjete me targa italiane në emër të tyre.
E ashtu si kolegët e tyre italianë, edhe 2,6 milionë të huajt që ngasin makinën vuajnë rritjen e çmimit të karburantit. E meqë çdo person që ka makinë harxhon mesatarisht 120 euro në muaj për karburantin (sipas një sondazhi të fundit ISPO), emigrantët harxhojnë rreth 3,744 miliardë euro për të mbushur makinën.
Shumë emigrantë, falë marrëveshjeve dypalëshe mes vendit të tyre dhe Italisë konvertojnë patentën që kanë. Kur marrëveshja nuk ekzistonte apo në rast se kanë ardhur në Itali para se të lidheshin marrëveshjet, shumë të tjerë patentën e kanë marrë drejtpërdrejt në Itali (vetëm vitin e shkuar janë lëshuar 170 mijë patenta personave të lindur jashtë Italisë).
Mes Shqipërisë dhe Italisë ka një marrëveshje konvertimi të patentave nga 15 gushti 2009, ndaj nga 225.126 patentat italiane lëshuar personave të lindur në Shqipëri, ka nga ato që janë konvertime patentash shqiptare, por pjesa dërrmuese janë marrë nga shqiptarë që kanë ndjekur shkollën për dhënien e makinës në Itali.
E meqë ra fjala për shkollat e marrjes së patentës, të shumta hijet përqak tyre, siç tregojnë hetimet e fundit në Milano, Romë dhe Napoli, që kanë zbuluar organizata të mirëfillta kriminale që u shisnin patentat të huajve (deri disa mijëra euro), duke “i ndihmuar” ata gjatë provimit.
Dhe në provimin për marrjen e patentës, të huajt mund të hasin një vështirësi më shumë se italianët: nga viti 2011 është hequr edhe mundësia e zgjedhjes së një prej shtatë gjuhëve që personi mund të njohë më mirë. “Përkthimet kushtonin shumë e ndonjëherë ishin të pasakta” shpjegoi në qershor ministri i Zhvillimit ekonomik, i Infrastrukturave dhe i Transporteve Corrado Passera në Senat.
Shifrat tregojnë se emigrantët përbëjnë një klientelë të rëndësishme për tregun e sigurimeve. Por kompanitë e sigurimeve në vend që të bënin për vete këtë fetë të rëndësishme të klientëve me tarifa të leverdishme, u munduan të përfitojnë duke parashikuar për të huajt sigurime më të shtrenjta se për italianët.
“Sepse statistikisht vërtetohet se bëjnë më shumë aksidente” justifikohen kompanitë e sigurimeve të makinave, por Zyra Kombëtare Kundër Diskriminimeve Raciale, UNAIR, e konsideron tarifën e rënduar “etnike”, praktikë diskriminuese dhe të paligjshme. E kur çështja është çuar në gjykatë, kompanitë kanë vendosur të heqin dorë nga dallimet etnike në tarifa për të shmangur dënimet e mundshme.
Elvio Pasca
Lexo edhe:
Konvertimi i patentave shqiptare
Konvertimi i patentave shqiptare tani është realitet