Në dhjetëvjeçarin 1991-2001, në Ballkan janë zhdukur rreth 34.700 persona. Amnisty International: “Pjesa më e madhe e familjeve të viktimave është ende në pritje të drejtësisë”
Romë, 29 gusht 2012 – Nga viti 1991 deri në vitin 2001 në Ballkan janë zhdukur 34.700 persona, pasi u arrestuan apo u kapën gjatë luftërave në vendet e ish Jugosllavisë. Këtë thotë raporti i Amnesty International i botuar sot, në vigjilje të Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve që kujtohet më 30 gusht.
Sipas Jezerca Tigani, nëndrejtoreshë e Programit për Europën dhe Azinë Qendrore të Amnisty International, shumë nga familjet e viktimave janë ende në pritje të të vërtetës apo të drejtësisë për të dashurit e tyre. “Për to kapitulli i hidhur i zhdukjeve të dhunshme nuk është mbyllur por mbetet burim dhimbjeje të përdishme. Shumë prej tyre presin të njohin të vërtetën, apo të kenë drejtësi”.
Në vendet e ish Jugosllavisë ka të zhdukur nga të gjitha grupet etnike, ushtarë e civilë, gra burra e fëmijë. “amiljet e tyre kanë të drejtë të njohin fatin e të dashurve të tyre. – vazhdon Jezerca Tigani – Për ta, një hap i parë drejt drejtësisë do të ishte gjetja dhe kthimi i trupave në mënyrë që të kenë një varr. Qeveritë duhet t’u sigurojnë familjeve të viktimave drejtësi, dhe dëmshpërblim konkret e sa më shpejt”.
Vetëm gjatë luftës në Kosovë e menjëherë pas saj numërohen rreth 3.600 të zhdukur. Sipas raportit, mbi 3.000, janë shqiptarë viktima të shfarosjes etnike të kryer nga policia ushtria apo grupet paraushtarake serbe; pjesa tjetër janë nga minorancat, kryesisht serbe e rom, që mendohet të jenë kapur nga grupe të armatosura shqiptarësh, përfshirë UÇK. Familjet e 1.797 të të zhdukurve shqiptarë e serbë të Kosovës janë ende në pritje të gjetjes, identifikimit dhe varrosjes të të afërmve.
Përveç Kosovës, raporti përshkruan raste zhdukjesh edhe në Kroaci, Bosnje, Maqedoni, Mal të zi, e Serbi. Qeveritë e të gjashta vendeve, deri më sot nuk kanë respektuar detyrimin ligjor ndërkombëtar të hetimit e ndëshkimit të këtyre krimeve. Disa nga përgjegjësit i janë nënshtruar gjykimit të Gjykatës ndërkombëtare për ish Jugosllavinë të cilës tashmë po i mbaron edhe mandati, ndërsa gjykatat vendase veprojnë shumë ngadalë në këtë aspekt.
Shqiptari i Italisë
Lexo në origjinal: Balkans. Thousands still missing two decades after conflicts