CISL: “Procedura e legalizimit është e shtrenjtë, shumë punëdhënës nuk do të paraqesin kërkesë dhe fatkeqësisht edhe këtë radhë e kanë në dorë vetëm ata”. Shoqata e punëdhënësve shtëpiakë Assindatcolf: “ Familjet të çorientuara, nevojitet menjëherë të bëhet i ditur dekreti me detajet”
Kufizimet, pengesat, por edhe paqartësitë e shumta rëndojnë në sanatoren që po afron.
“Në sportele vijnë kërkojnë informacione, por nuk kemi turmat e mëdha që kishim në vitin 2009. Njerëzit kanë shumë mëdyshje, paqartësi. Çmimi i këtij legalizimi të punonjësve të huaj është i lartë dhe shumë prej atyre që vijnë tek ne thonë se punëdhënësi i tyre nuk dëshiron të paraqesë kërkesën “ tregon për Stranieriinitalia.it Maurizio Bove, përgjegjës për imigracionin i sindikatës Cisl të Milanos.
Edhe këtë radhë, gjithçka i lihet në dorë punëdhënësit. “Dhe nëse ky, pasi paraqet kërkesën, nuk e çon praktikën e legalizimit deri në fund, punonjësin nuk e tutelon asgjë” shton sindikalisti. “Ishte kështu edhe në vitin 2009, hapëm rreth 50 çështje gjyqësore punepër raste të këtij lloji dhe punonjësit janë ende në pritje të një lejeje qëndrimi”.
Si të provohet prania në Itali?
Pyetja më e shpeshtë në sportelet e Cisl-it? “Cilat dokumente do të konsiderohen të vlefshme për të dëshmuar praninë në Itali nga fundi i vitit të shkuar. Tani për tani ne japim si shembull vetëm fletën e dëbimit, certifikatën mjekësore të lëshuar nga një repart i Ndihmës së Shpejtë apo vulën e hyrjes në Itali në pasaportë, por mbi provat e tjera të mundshme nuk dimë ç’t’u themi. Në vitin 1998 u pranuan edhe teserat e shoqatave, por plasi një shitblerje e frikshme anëtarësimesh…”.
Sipas bocës së fundit të dekretit ndërministror që pritet të botohet në Gazetë Zyrtare, duket se as ky nuk e trajton këtë problem. Dhe pa udhëzime nga lart lidhur me “dokumentin me prejardhje nga organizma publikë” për të cilin flet norma e sanatores, ekziston rreziku që gjithçka t’i lihet në dorë vetëgjykimit të zyrave që do të shqyrtojnë kërkesat, me trajtim të ndryshëm nga një vend në tjetrin, gjë që mund të lërë vend për hapje çështjesh gjyqësore në rast të hedhjes poshtë të praktikës.
Sipas sindikalistit Bove, problemi qëndron në themel. “Le të marrim këtë rastin e provës së pranisë në Itali. Që një i huaj të legalizohet apo jo duhet të ketë pasur “fatin” që të ketë përfunduar në një repart Ndihme të Shpejtë apo të ketë marrë një urdhër dëbimi. Kur e dimë shumë mirë të gjithë që Paketa e sigurisë i shtynte të gjithë klandestinët t’u qëndrojnë sa më larg zyrave të administratës publike. Kjo është kontradiktore”.
Ekziston rreziku që vetëm një pjesë e vogël e punonjësve të përfitojë nga kjo sanatore. “Kam përshtypjen – thotë sindikalisti – që legalizimi do të nisë ngadalë e shumica e kërkesave do të mbërrijë ditët e fundit të mundshme. Por ato do të jenë edhe kërkesat më të dyshimta, të paraqitura nga ata që kanë arritur të gjejnë një punëdhënës çastin e fundit, e kushedi kundrejt çfarë çmimi”.
Assindatcolf: “Ja dyshimet e familjeve”
Dyshimet stepin edhe familjet që duan të legalizojnë bashkëpunëtoret familjare, gratë që u pastrojnë shtëpinë, kujdesen për prindërit apo mbajnë më të vegjlit ndërsa prindërit janë në punë. Shoqata e punëdhënësve shtëpiakë Assidatcolf, nga telefonatat që u arrijnë zyrave periferike, thotë se 78% e familjeve kërkojnë sqarime “mbi kriterin e qëndrimit të të interesuarit në territorin italian nga 31 dhjetori 201 e mbi dokumentin me të cilin kjo gjë të dëshmohet”.
Të shumtë (68%) ata që informohen mbi fatin që do të kenë 1.000 eurot e paguara, nëse ato do t’u kthehen po të hidhet poshtë kërkesa, dhe nëse do të nevojitet të derdhen edhe kontributet tremujorenë INPS. Vijohet me kërkesat e sqarimeve mbi periudhën për të cilën duhet paguar (56%) dhe mbi llojin e kontratës që duhet aplikuar (54%), si edhe mbi kushtet për rrogën dhe kushtet e tjera të kontratës që i duhen aplikuar marrëdhënies së punës që legalizohet (49%).
Nuk mungojnë mëdyshjet mbi problemet legale me të cilat mund të përballen në rast se vetëdenoncimi nuk përfundon me legalizimin e punonjëses (43%), ndërsa të tjerë kërkojnë këshilla se si të sillen në rast se situata personale (dhe ajo e bashkëpunëtores apo bashkëpunëtorit) nuk mund të legalizohet (32%).
Assindatcolf nënvizon që “botimi sa më shpejt i dekretit ndërministror që pritet këto ditë (duhet të shpallej deri më 29 gusht) mund t’u japë përgjigje shumë prej pikëpyetjeve të ngritura”.
Elvio Pasca