Ministria e Brendshme i paraqet procedurën e sanatores patronateve dhe shoqatave. Së shpejti edhe një sërë FAQ të ministrisë, por tani për tani duhet të kënaqemi me disa përgjigje të pyetjeve më të shpeshta
Romë, 12 shtator 2012 – Pasditen e 11 shtatorit në ministrinë e Brendshme është mbajtur një takim për t’u ilustruar procedurën e legalizimit patronateve dhe shoqatave, të cilat do të ofrojnë ndihmesën e tyre për përpilimin dhe nisjen e kërkesave.
Gjatë takimit, ekspertët e ministrisë së Brendshme kanë paraqitur një sërë tabelash ilustruese që mund të shkarkoni në fund të këtij shkrimi. Duke u nisur nga normativat në fuqi, kanë sqaruar subjektet e interesuara me një përmbledhje të të gjithë hapave të procedurës, nga pagesa e 1.000 eurove deri të verifikimi i kërkesës së nisur.
Në ditët e ardhshme do të botohen në sitet e ministrive të Punës, të Brendshme dhe të Integrimit një sërë pyetjesh dhe përgjigjesh (FAQ – frequently answered questions) mbi disa nga pikat e errëta të sanatores.
Por disa sqarime janë dhënë që më 11 shtator që patronati Ital UIL i ka përmbledhur në një komunikatë që u ka nisur sporteleve të saj. Ja disa nga risitë që përmban komunikata e Ital UIL-it:
“Punëdhënësit
Mund të paraqesin kërkesë për legalizim në cilësinë e punëdhënësit edhe titullarët e lejes së qëndrimit për azil politik në bazë të parimit të barazisë në të drejta të refugjatëve me qytetarët italianë.
Punonjësit
Legalizimi mund të kërkohet edhe për të huaj me qëndrim të rregullt në Itali të cilëve dokumenti që kanë (për shembull, për kura mjekësore, për rezidencë të zgjedhur, studime (vetëm punë me orar të pjesshëm), për pritje të njohjes së statusit të refugjatit) nuk u lejon të kryejnë një punë. Natyrisht në fund të rrugëtimit të praktikës së legalizimit, punonjësit do t’i konvertohet lejeqëndrimi që ka në një tjetër për motive pune. Kujdes! Është mëse e qartë që për punonjësit me lejeqëndrim për studime marrëdhënia e punës e legalizuar duhet të jetë me orar të plotë.
Përpilimi i Modelit F24
Në tabelat ilustruese të dorëzuara nga Ministria, tregohet se si duhet të përpilohet modeli F24. (…) Ekspertët e ministrisë këshillojnë që në në rast se të dhënat e pasaportës shkruhen me ndonjë gabim në modelin F24 më të cilin paguhen 1.000 eurot, i njëjti gabim është e udhës të bëhet edhe në kërkesën që i niset Sportelit unik në mënyrë që F24 dhe kërkesa të korrispondojnë. Më pas gabimi duhet korrigjuar kur punonjësi dhe punëdhënësi të thirren nga sporteli unik.
Për rastet e të huajve pa asnjë dokument, pritet që FAQ i ministrisë të tregojë se si të përdoren dokumentet e identifikimit të lëshuara nga konsullata e vendit nga i cili vjen punonjësi.
Prova e pranisë së qytetarit të huaj në Itali nga 31 dhjetori 2011
Kemi lënë për në fund sqarimet mbi këtë kriter shumë të rëndësishëm të sanatores, për të cilin nuk patëm asnjë sqarim nga ekspertët e ministrisë, me përjashtim të premtimit që pyetje-përgjigjet (FAQ) e ministrisë do të specifikojnë të paktën cilat janë organizmat apo entet që do të konsiderohen publike.”