Vetëm 55 mijë refugjatët në Itali. Ulet numri i kërkesave për azil, për shkak të politikës së zmbrapsjeve të zbatuar prej Italisë
16 qershor 2010 –Numri i refugjatëve në Itali është 55 mijë, ndërsa në Gjermani rreth 600 mijë, në Angli 270 mijë dhe në Francë 200 mijë. E thënë ndryshe në Itali ka 1 refugjat për 1.000 banorë, ndërkohë që në Danimarkë, Vendet e Ulëta, Suedi, refugjatët janë nga 4 në 9 për 1000 banorë, në Gjermani mbi 7, në Angli rreth 5. Shifra është e ulët qoftë në vlerë absolute qoftë në vlerë relative kundrejt vendeve të tjera të BE-së. Këto janë të dhënat e Raportit të fundit të vjetor të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Unhcr.
Raporti vë gjithashtu në dukje se kundrejt një rritjeje globale të numrit të kërkesave për strehim me rreth një milion në një vit, në Itali numri i këtyre kërkesave në vitin 2009 thuajse është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë. në Itali në vitin 2009 janë paraqitur vetëm 17 mijë kërkesa azili, ndërsa në vitin 2008 ishin paraqitur 31 mijë. “Kjo ulje – vë në dukje Unhcr – mund të lidhet me politikat shtrënguese të zbatuara në Kanalin e Sicilisë nga Italia dhe Libia, mes të cilave edhe kthimi mbrapsht në det të hapur”.