Qeveria ka miratuar një paketë masash financiare për mbajtjen nën kontroll të llogarive publike dhe të borxhit publik. Manovra përbëhet nga shkurtime apo kursime fondesh për 24 miliardë euro në dy vjet, 2011 dhe 2012, për të ulur në secilin prej këtyre viteve me 0,8% borxhin te madh publik. Siç u shpreh edhe krahu i djathtë i Kryeministrit Berlusconi, Gianni Letta flitet “për sakrifica e rigorozitet në llogaritë publike për t’i shpëtuar rrezikut Greqi”
Ç’masa përmban manovra
Katër janë drejtimet e ndërhyrjeve të reformës: rroga, pensione, transferime fondesh dhe fusha fiskale. Një nga pikat kyçe të kësaj manovre ka të bëjë me uljen e kostove të politikës dhe administratës publike si shkurtimet në shpenzimet publike duke filluar nga ulja e rrogës për parlamentarë e të zgjedhur të tjerë, për punonjës të organeve të drejtësisë, për ministra e nënsekretarë, por edhe shkurtime të shpenzimeve me kufizimin e përdorimit të makinave qeveritare, përmes eliminimit të formave të autonomisë financiare për ente lokale apo duke reduktuar shpenzimet për formimin profesional të administratës publike. Qeveria mundohet t’i bëjë jehonë këtij aspekti sepse në njëfarë mënyre justifikon masat e ashpra duke thënë se është ajo e para që i pëson ato. Por masat më serioze janë ato si ngrirja për katër vjet e rrogës së punonjësve të administratës publike, gjë që do t’u ulë atyre ndjeshëm fuqinë blerëse. Gjithashtu vihet dorë në reformën e pensionit duke detyruar punonjësit të qëndrojnë pak më gjatë në marrëdhënie pune. Sa për fushën fiskale, ministri i ekonomisë Tremonti thotë që nuk do të ketë rritje taksash por luftë ndaj evazionit fiskal, por megjithatë shtrëngohen kushtet për marrjen e pensionit për invaliditetin dhe do të legalizohen shtëpitë abuzive. Dhe evazioni fiskal në Itali kap shifra shqetësuese: vetëm gjatë dy vjetëve të fundit, Guardia di Finanza (policia tatimore) ka zbuluar subjekte të panjohura për tatim taksat që fitojnë rreth 20 miliardë euro; apo, nga kontrolli i pronarëve të barkave mbi 10 metra të gjata, vërehet që 2/3 e këtyre janë njerëz pa të ardhura e pa asnjë pronë (me një fjalë kanë barkë dhe marrin çekun social). Lufta kundër evazionit fiskal do të godasë edhe invalidët e rremë, dhe besohet se duhet të jenë goxha, pasi qeveria së fundi ka zbuluar se u paguan pension invaliditeti 5% të popullsisë për 16 miliardë në vit.
Rruga që solli drejt masave financiare
Duket sikur papritur qeveria ka zbuluar që nga llogaritë publike mungojnë para dhe jo pak, se shpenzimet janë rritur vazhdimisht, ndërkohë që me krizën, të ardhurat në arkat e shtetit janë pakësuar. Borxhi publik italian rritet vazhdimisht vitet e fundit e po i afrohet 120% të prodhimit të brendshëm brut. Dhe sipas ekonomistëve, ky borxh nuk është thjesht i lartë numerikisht por edhe strukturor, gjë që e rëndon më shumë situatën italiane. Nga ana tjetër, bien të gjithë dakord që nëse Italia ia ka dalë mbanë deri më sot është për meritë të aftësisë kursyese të familjeve italiane që në këtë periudhë krize “po tresin dhjamin e vënë më parë”.
Tregues tjetër i gjendjes së nderë është edhe paqartësia dhe pesimizmi i tregut dhe i bursave, veçanërisht ditët e fundit. Qeveria mbrohet me zëdhënësin e kryeministrit, Bonaiutin, për shembull, duke thënë që situata është e rëndë në të gjithë Europën dhe se është kjo e fundit që u ka kërkuar të gjitha vendeve anëtare një ndërhyrje në këtë drejtim. Si për të thënë që nuk është vetëm Italia në këto ujëra të turbullta por edhe vende të tjera pararojë si Franca apo Gjermania. Me dy fjalë, do të thoshim që kriza greke dhe zhvlerësimi i euros përshpejtuan domosdoshmërinë e manovrës financiare italiane.
Reagimet
Të gjithë pranojnë që masat financiare janë të nevojshme: qeveria thotë që ia kërkoi Europa, opozita thotë që më në fund edhe kryeministri italian e kuptoi që jemi në krizë dhe vendosi të veprojë.
Sipas ministrit të Ekonomisë, paketa e masave është “e drejtë dhe impenjuese”. Ndërsa mendimi i opozitës për to shkon nga “nuk përmbajnë asnjë reformë strukturore” e Sekretarit të PD-së, Bersani, e deri te “është një kasaphanë shoqërore” e komunistit Vendola, apo te “Berlusconi të largohet, ka gënjyer italianët deri më sot duke thënë se nuk ka krizë e tani gjendemi thuajse në situatën e Greqisë” e Di Pietros, E Italisë së Vlerave. Edhe entet e administratat lokale janë shprehur kundër masave financiare pasi me reduktimin e fondeve apo heqjen e autonomive të tyre financiare “rrezikojnë të mos u ofrojnë qytetarëve të tyre një sërë shërbimesh bazë duke nisur nga shëndetësia. Një nga tre sindikatat e mëdha Cgil, me sekretarin e saj të përgjithshëm Epifanin ka fjalë shumë të rënda për paketën e masave: “nuk më duket aspak e drejtë, kërkon sakrifica vetëm nga punonjësit e varur”. Dy sindikatat e tjera e kanë pezulluar gjykimin e tyre në pritje të njohjes së tekstit. Për presidenten e Confindustrisë, Marcegaglia, “nëse ulja e shpenzimeve publike do të jetë e ndjeshme dhe nëse kjo do të shoqërohet me mbështetjen e produktivitetit, paketa e masave financiare mund të konsiderohet pozitive për vendin”.
Ç’pritet prej manovrës
Sipas ministrit të Ekonomisë Tremonti, këto masa financiare do të jenë e mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll shpenzimet publike dhe deficitin duke “mos u futur duar në xhep italianëve”. Të një mendimi krejt të kundërt janë kundërshtarët e kësaj pakete masash: për Bersanin e PD-së “paketa nuk ka asnjë element strukturor, është depresive, plot shkurtime pa kriter dhe pa rritje ekonomike”. Frikën e implozionit, e mbytjes së ekonomisë, shprehin edhe ekonomistë e sindikalistë që te “sakrificat” që u kërkohen italianëve shohin uljen e fuqisë blerëse por asnjë ndërhyrje strukturore për t’i dhënë hov produktivitetit.
Që nuk do “t’u futen duart në xhepa italianëve” siç thotë ministri Tremonti, është vështirë të besohet. Përkundrazi u vihet më shumë veshi fjalëve të Gianni Lettës, që flet vërtet rrallë. Kur thotë se “masat financiare nënkuptojnë sakrifica të mëdha, për të shpëtuar vendin”, nuk e bën për të përhapur pesimizëm, por sepse italianëve u kërkohet të sakrifikojnë vërtet shumë për t’ia dalë mbanë.
Keti Biçoku