Nga 2 tetori deri më 3 nëntor 2012, shqiptarët që dëshirojnë, mund të provojnë për realizimin e ëndrrës amerikane. Kjo është periudha kur mund të aplikohet për lotarinë e famshme, për të përfituar një nga 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë të autorizuara nga Kongresi amerikan për vitin 2014
Tiranë, 2 tetor 2012 – Ambasada Amerikane në Tiranë bën të ditur se periudha e aplikimit për Lotarinë Amerikane, apo për “vizën e shumëllojshmërisë” për vitin 2014 fillon mesditën e 2 tetorit e mbyllet mesditën e 3 nëntorit 2012.
Në deklaratën zyrtare të kësaj ambasade thuhet se, nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar pёr lotarinë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur.
Aplikantët mund të plotësojnë elektronikisht formularin e aplikimit të lotarisë në http://www.dvlottery.state.gov gjatë periudhës së regjistrimit. Aplikimet me letër nuk pranohen. Aplikantët janë të lutur të mos presin deri javën e fundit të regjistrimit të periudhës së aplikimit, pasi kërkesat e shumta mund të krijojnë mbingarkesë në sistem dhe vonesë të regjistrimit të aplikimit. Asnjë aplikim nuk do të pranohet mbas 12.00 të datës 3 nëntor 2012.
Në udhëzimet e botuara nga shteti amerikan sqarohet çfarë është lotaria në fjalë: “Programi i Vizave të Emigrantëve të Diversitetit i autorizuar nga Kongresi administrohet në bazë vjetore nga Departamenti i Shtetit dhe drejtohet bazuar në ligjet e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht të Seksionit 203(c) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA). Ky ligj për një grup emigrantësh të njohur si – emigrantë të shumёllojshmërisë, me viza, që u vihen në dispozicion personave prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shteteve të Bashkuara”.
Për vitin fiskal 2014, do të jenë në dispozicion 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (të lotarisë), lexohet në udhëzime ku theksohet që “ vizat janë të disponueshme për personat që plotësojnë kushtet e thjeshta, por të rrepta, të kërkuara të pranimit”.
Një kompjuter përzgjedh rastësisht të zgjedhurit për vizën e lotarisë. Vizat shpërndahen ndërmjet gjashtë rajoneve gjeografike dhe brenda çdo rajoni, asnjë vend i veçantë nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit, ku pjesa më e madhe e vizave do t’i shkojë rajoneve me raport më të ulët emigracioni dhe asnjë vizë nuk u shkon shtetasve të vendeve që kanë dërguar më shumë se 50.000 emigrantë në SHBA në periudhën e pesë viteve të fundit, siç janë për shembull Bangladesh, Brazil, Ekuador, Filipine, Indi, Kanada, Kolumbi, Kinë, Mretëria e Bashkuar, Meksikë, Peru, etj. Ndër këto vende nuk renditet Shqipëria, ndaj shqiptarët mund të vazhdojnë të aplikojnë për këtë lotari.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbatuar sistemin e regjistrimit elektronik, duke filluar që nga lotaria e vitit 2005 (DV-2005) për ta bërë procesin e lotarisë sa më efikas dhe të sigurt. Nga ç’lexohet në udhëzimet on-line, “departamenti përdor teknologji speciale dhe mënyra të tjera për të identifikuar ata persona që kryejnë mashtrim për qëllime emigracioni ilegal ose për ata persona që aplikojnë më shumë se një herë brenda të njëjtit vit”.
Për të sqaruar sa më mirë të interesuarit ofrohet një udhëzues i hollësishëm (që mund të shkarkoni duke shtypur këtu) mbi mënyrën e aplikimit dhe me përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta mbi Lotarinë Amerikane.