in

Sanatoria. Edhe tesera e abonimit e transportit publik vlen si dëshmi pranie në Itali

Teserat e abonimit në mjetet e transportit publik të lëshuara përpara datës 31 dhjetor 2011, “nëse janë me foto dhe të dhëna personale”, mund të dëshmojnë praninë e të huajit në Itali. Është ky sqarimi që ministria e Brendshme i jep një shoqate ndërsa pritet një qarkore që t’u japë fund mëdyshjeve mbi këtë pikë

Romë, 2 tetor 2012 – “Edhe pse nuk janë të lëshuara nga organizma publikë, a mund të merren në konsideratë  teserat e abonimeve në mjetet e transportit publik si prova për praninë e të huajit në Itali nga 31 dhjetori 2011?”

Është një nga pyetjet mbi senatoren që më 27 shtator shoqata Naga i ka nisur ministrisë së Brendshme. Pyetje që qytetarët e huaj të parregullt i bëjnë prej javësh shoqatës së vullnetarëve të Milanos, e angazhuar në informimin e një publiku sa më të gjerë në mënyrë që të mbajë të interesuarit larg mashtruesve.

Përgjigjja ka mbërritur sot dhe është padyshim një lajm i mirë për mijëra të huaj të parregullt që shpresojnë të fusin në xhep dokumentin e qëndrimit me këtë sanatore. Abonimet në mjetet publike, shpjegojnë ekspertët e ministrisë së Brendshme, vlejnë si dëshmi për të provuar praninë në Itali, me kusht që “të kenë fotografi dhe të dhënat personale”. E kjo vlen jo vetëm për ATM-në e Milanos, por për të gjitha ndërmarrjet e transportit publik në mbarë Italinë.

Naga ka lajmëruar për përgjigjet e ministrisë edhe stranieriinitalia.it sepse shoqata sheh të udhës “të informohen të gjithë. Prova e pranisë është një nga pikat më të errëta të këtij legalizimi, janë të shumtë ata që nuk po nisin kërkesën sepse nuk janë të sigurt nëse mund të tregojnë që dhjetorin e shkuar ishin këtu. Por edhe ne i këshillojmë të presin sqarimet e paralajmëruara nga ministria” shpjegojnë nga sporteli legal.

Tema është e nxehtë. Naga ka edhe një ambulator për të huajt pa dokumente qëndrimi dhe shumë ish pacientë të saj po kërkojnë kopje të kartelave klinike me shpresë se do të mund t’i përdorin ato si prova të pranisë. “Ne po u themi që kartelat nuk janë të vlefshme si provë sepse jemi shoqatë, jo organizëm publik” nënvizojnë operatorët.

Sqarimi i dhënë sot nga ministria e Brendshme është shumë i vyer. Nga njëra anë sepse mijëra të huaj marrin rregullisht autobusë dhe metro, nga ana tjetër sepse kështu adoptohet linja e kërkuar nga shoqatat e sindikatat, sipas të cilës provat e pranisë mund të jepen edhe nga privatë që ofrojnë shërbim publik.

Organizmat që certifikojnë praninë në Itali, ka thënë pak ditë më parë vetë prefekti Mario Morcone, “nuk mund të jenë vetëm ato të administratës publike”. “Personalisht – ka shtuar ai – mendoj se edhe biletat e udhëtimit me Trenitalia apo teserat e abonimit në automjetet publike mund të vlejnë. E rëndësishme është që këto kritere të aplikohen në mënyrë homogjene në të gjithë Italinë e po punojmë pikërisht në këtë drejtim”.

Përgjigjja e sotme, që çuditërisht ende nuk është në pyetje-përgjigjet që gjenden në faqet internet të ministrisë së Brendshme, konfirmon faktin se po zgjerohet kategoria e enteve dokumentet e të cilave do të konsiderohen të vlefshme për dëshmimin e pranisë në Itali, por është e udhës të pritet një dokument zyrtar sqarues, një qarkore që të zhdukë çdo dyshim e të mundësojë vërtet “një aplikim homogjen të kritereve në mbarë Italinë”. E kur mungojnë më pak se dy javë nga mbyllja e muajit të legalizimit, është për të ardhur keq që ende nuk dihen të gjitha rregullat e lojës.

Shifrat e deritanishme të kësaj sanatoreje lënë vërtet për të dëshiruar: kërkesat e paraqitura deri në orën 18.00 të 2 tetorit janë 48.297, nga të cilat vetëm 5.662 për punonjës të varur, të tjerët për bashkëpunëtorë familjarë. Për shqiptarët janë paraqitur 976 kërkesa legalizimi, 718 për bashkëpunëtorë familjarë dhe 258 për punonjës të varur.

Elvio Pasca

 

Durrës. Ndalohen në port dy persona me mbi 200 mijë euro në bagazhe

Xhudistja Majlinda Kelmendi shpallet nënkampione e botës në Romë