Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle deklaron sot se KE propozon një status të kushtëzuar për Shqipërinë. Mbeten për të realizuar disa reforma në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe të përmbyllë reformën parlamentare si edhe një angazhim më i fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria hedh një hap përpara drejt familjes Europiane. Raporti i plotë dhe konkluzionet e tij
Bruksel, 10 tetor 2012 – “Shqipëria ka bërë hapa pozitive vitin e kaluar. Ka reforma kyçe sa i takon plotësimit të prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian. KE rekomandon se Shqipërisë i duhet dhënë status kandidat me kusht”, ka deklaruar sot Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Komisioneri ka raportuar në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian përfundimet e progres-raportit për vendet kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Fule ka deklaruar se Komisioni rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë me kusht që vendi të vazhdojë reformat në drejtësi dhe administrimin publik. Ai tha se Shqipëria “duhet të përmbushë reformat që ka nisur me marrëveshjen politike të nëntorit të vitit të kaluar”.
Sa u përket 12 prioriteteve kyçe të Komisionit Europian, kanë mbetur ende të paplotësuara reforma parlamentare dhe miratimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe Shërbimin Civil.
Pas dy refuzimesh radhazi ndaj kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, këtë vit Shqipëria bëhet vendi i pestë i Ballkanit, kandidat për të hyrë në BE, pas Kroacisë (që do të anëtarësohet në 2013-tën), Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.