in

‘Lindje perëndim lindje’ vlerësohet si filmi më i mirë i Festivalit shqiptar

Qendra Kombëtare e Kinematografisë organizoi në Tiranë edicionin XIII të Festivalit të Filmit shqiptar, gjatë të cilit janë shfaqur dhjetëra filma artistikë, të shkurtër, dokumentarë dhe vizatimorë. Të premten, më 9 nëntor u shpërndanë çmimet, një nga të cilat i shkoi shqiptares së Italisë, Luli Bitrit, si aktorja më e mirë protagoniste për rolin e luajtur në filmin Amnistia. Mes të ftuarve specialë të Festivalit, aktori italian Remo Girone

Tiranë, 10 nëntor 2012 – U zhvillua në Tiranë edicioni i 13-të i Festivalit të filmit shqiptar ku u prezantuan të gjithë ata të realizuar nga viti 2006. Për një javë rresht, nga data 3 deri më 9 nëntor, në kinema “Millenium” janë shfaqur 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë, ndërkohë që jashtë konkurrimit ishin edhe 43 filma të studentëve. Festivali shënoi tri shfaqje speciale: kopja e restauruar e “Nëntorit të Dytë”, dokumentari “Anija” i Roland Sejkos dhe “Besa Premtimi” i regjisores amerikane Rachel Goslins.

“Lindje-Perëndim-Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani u shpall filmi më i mirë i edicionit të 13-të të Festivalit të Filmit Shqiptar, ndërsa Bujar Alimani regjisori më i mirë i festivalit për filmin “Amnistia”.

Në natën finale të ndarjes së çmimeve, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u ndanë 15 çmime, mes të cilave aktorja më e mirë e festivalit u zgjodh Luli Bitri për interpretimin në filmin “Amnistia”, ndërsa aktori më i mirë Fadil Hasa për interpretimin në filmin “Mao Ce Duni” të regjisorit Besnik Bisha. “Premtoj filma më të mirë”, tha Bitri gjatë tërheqjes së trofeut që iu dha nga aktori italian, i ftuari special, Remo Girone.

Çmimet për aktorët jo protagonistë, shkuan për aktoren Margarira Xhepa dhe Besart Kallakun. “Ne jemi shqiponjat e reja që po hapim krahët duke parë ju që na mësuar të fluturojmë”, tha Kallaku duke falënderuar aktorët e vjetër të kinemasë shqiptare.

Mes publikut edhe Remo Girone, gjate mbremjes se shperndarjes se çmimeve
Mbrëmja u drejtua nga Amarda Toska dhe Genc Fuga të cilët ndanë edhe çmimet speciale të jurisë. Me çmimin e Karrierësu vlerësua regjisori Muharrem Fejzo, me çmimin special për 100-vjetorin e Pavarësisë Petrit Ruka për dokumentarin e tij”100 vjet me Himnin e Flamurit, ndërsa një tjetër çmim special iu dha filmit “Besa” të regjisores Rachel Goslins.

Presidenti i Festivalit, Robert Ndrenika, u shpreh i kënaqur për javën e sapokaluar, për kinemanë “e mbushur me spektatorë që do të thotë se ata kanë etje për filmin shqiptar, ndaj artistët duhen ndihmuar edhe më shumë nga fondet publike”. “Në art nuk ka të humbur dhe të fituar, por ka vetëm bashkëbisedime shpirtërore”, tha Ndrenika.

Nata e parë e festivalit u çel, në datën 3 nëntor me versionin e restauruar të filmit “Nëntori i dytë” i Viktor Gjikës, një simbolikë për këtë edicion të festivalit, që rikthehet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Të njëjtën mbrëmje u shfaq për herë të parë në publik edhe filmi dokumentar Anija i Roland Sejkos mbi eksodet e shqiptarëve në Itali.

Edicioni i parë i Festivalit të Filmit është zhvilluar në vitin 1976 dhe çmimin e parë e ka fituar filmi “Në fillim të verës” nga Gëzim Erebara, ndërsa edicioni i fundit i Festivalit të Filmit Shqiptar u organizua në datat 2-9 tetor 2006, ku filmi më i mirë artistik u shpall “Kukumi” i regjisorit kosovar Isa Qosja.

Çmimet e Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar – 2012

Çmimet e dhëna nga Juritë e Filmit të Shkurtër, Dokumentar, Vizatimor dhe Artistik
Dokumentari më i mirë: ROJTARI I BJESHKËVE – regjia Antoneta KASTRATI
Filmi i Shkurtër më i mirë: DITA E FUNDIT E LORO SHESTANIT – regjia Sokol KERAJ
Filmi Vizatimor më i mirë: KAMIONI – regjia Ilir KASO
Filmi Artistik më i mirë:  LINDJE PERËNDIM LINDJE – regjia Gjergj Xhuvani
Regjia më e mirë e Filmit Artistik: BUJAR ALIMANI për filmin artistik “ Amnistia
Aktori më i mirë: FADIL HASA – për rolin në filmin artistik “ Mao Ce Dun
Aktorja më e mirë: LULI BITRI – për rolin në filmin artistik “Amnistia”
Aktori më i mirë jo-protagonist: BESART KALLAKU – për rolin në filmin artistik “ Gjallë
Aktorja më e mirë jo-protagoniste: MARGARITA XHEPA – për rolin në filmin artistik “ Ne dhe Lenini
Çmimi Special i Jurisë: JONI SHANAJ për filmin artistik “ PHARMAKON
YLL ÇITAKU për filmin artistik “ PËRTEJ RRUGËS

Çmimet e dhëna nga Organizatorët e Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar
Çmimi i Karrierës: Regjisori MUHARREM FEJZO
Çmim për kontributin e veçantë në themelimin e kinemasë moderne shqiptare: ALBAN XHILLARI (Kinema Millenium)
Mik dhe Kontribues në kinematografinë shqiptare: SEBASTIANO (Nino) CELESTE
JACQUES BOUQUIN

Çmim Special: Filmi BESA: PREMTIMI – regjia Rachel Goslins, për shfaqjen e jashtëzakonshme, të këtij filmi gjatë Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar
Çmimi Jubilar për 100-Vjetorin e Pavarësisë: Filmi KRYEKËNGA ( 100 Vjet me Himnin e Flamurit ) – regjia Petrit Ruka

È arrivato un bimbo? Fino a 5 mila euro di prestito a tasso agevolato

Kthehet në dhjetor Festivali i Këngës. Zgjidhen 26 artistët konkurrues