in

Kuvendi vlerëson Korin Lira me titullin Nder i Kombit

Kori Lira i qytetit të Korçës vlerësohet me mirënjohje nga Kuvendi i Shqipërisë mes 100 personaliteteve më të shquara të vendit në jubileun e madh Kombëtar

Tiranë, 20 nëntor 2012 – Në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, Kori “Lira”, i qytetit të Korçës nderohet nga Kuvendi si “Nderi i Kombit”, mes 100 personaliteteve më të shqura të fushave të ndryshme të zhvillimit historik të vendit.

Teuta Lavdari, drejtoresha e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” e qytetit juglindor, vlerëson se ‘këngët patriotike të kënduara që prej krijimit të tij, e kanë bërë të njohur Korin “Lira”, në hapësirën mbarëshqiptare, si krenari kombëtare dhe një nga vlerat e mëdha identifikuese të muzikës karakteristike të Korçës, që buron  nga tingujt dhe ritmet e melodive qytetare dhe traditës së pasur të muzikës shqiptare”.

Kori “Lira”, sipas Lavdarit, vazhdon të jetë një Shoqëri Lirike Popullore dhe përveç koncerteve që trashëgojnë edhe serenatën korçare, ka kënduar e këndon me ndjenjë të thellë atdhedashurie në manifestime kombëtare, siç janë edhe ato që përmbyllin këtë javë në Vlorë, jubileun e madh të nëntorit, ku do të marrë pjesë edhe ky Kor sëbashku me qindra qytetarë nga Korça.

Historia e korit Lira

Të dhëna nga Qendra Kulturore “Vangjush Mio” Korçë, për historikun e Korit “Lira” tregojnë se zanafilla e tij është me grupin e parë koral të burrave në qytetin e Korçës, krijuar në prill të vitit 1914 nga Profesor Spiro Konda. Ndër koristët e parë përmenden Ll.Mborja, A.Dardha, V.Fundo, F. Harilla, I. Nuke, G. Dako, I. Mosko, V. Bimbli, V.Treska, Xh. Harilla dhe instrumentistë K.Thasa, I. Mosko, K.Harilla, N. Lako e më pas Cavali, K.Kota, I.Duro, V.Tushi, K. Venetiku, etj. Në vitin 1918 Profesor Konda ia besoi drejtimin e korit z. Ilo Mosko, i cili e kreu këtë mision qytetar dhe qëndroi si korist për 70 vjet me radhë.

Koncertin e parë zyrtar ky grup, siç dëshmojnë kronika të kohës, e ka dhënë më 10 Dhjetor 1920, nën drejtimin e të riut Mihal Ciko, me rastin e  katër vjetorit të shpalljes së Republikës Autonome të Korçës dhe ngritjes së flamurit shqiptar nga  patrioti Themistokli Gërmenji.

Koncerte të shënuar kanë qenë gjithashtu ai me bandën muzikore “Vatra” që drejtohej nga Thoma Nashi, më 22 tetor 1922, ai i 11 korrikut 1929, të ardhurat e të cilit kaluan, sëbashku me ato të mbledhura nga populli i Korçës, për ngritjen e monumentit të Themistokli Gërmenjit, koncerti i dhënë më 28 shkurt 1929, për qëllime humane duke ndihmuar, me të hollat e tij shërimin e poetit Lasgush Poradeci, koncerti i 4 tetorit 1930 për të përshëndetur ditëlindjen e Mbretit Zog dhe mjaft koncerte të tjera patriotike e bamirësie, ku në përbërje të korit këndonin si solistë edhe Tefta Tashko, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Filçe- Truja, Llambi Turtulli, Lola Gjoka, Karmen Nakodhe, etj.

Me formimin e shoqërisë artistike “Lira”, në 17 qershor 1928, grupi koral i Korçës u shkri në këtë shoqëri, e cila vazhdon ta mbajë edhe sot këtë emër.

Kurse dirigjentët e parë të korit “Lyra” ishin Mihal Ciko, Ilo Mosko, Sotir Kozmo, Kristo Kono, i cili e drejtoi korin deri në vitin 1945 e më pas Kostaq Osmanlli deri në vitet ’80- të. Më pas, për tri dekada dirigjent ishte Jorgaq Nano – Artist i Merituar, kurse prej vitit 2010 dirigjent i korit është muzikologu Pandi Bello.

Kori ka një repertor me mbi 200 këngë patriotike, lirike, satirike nga treva e Korçës; këngë me karakter fetar, ato nga muzika e huaj si dhe pjesë korale accapela. Gjatë kësaj periudhe 98 vjeçare të ekzistencës së tij, në përbërje të korit kanë marrë pjesë rreth 150 meshkuj, prej të cilëve 50 instrumentistë dhe  rreth 30 femra, nga të cilat 5 prej tyre orkestrante.

Il Corriere della Sera: Sogni, paure, arrembaggi. Così fuggivamo dall’Albania

Sa afër, sa larg. Marrëdhëniet me Italinë në 100 vjet Pavarësi