Zgjedhjet e vitit 2013 janë kryefjalë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave të BE. Në rekomandime thuhet se janë plotësuar 4 nga 12 prioritete. Kërkohet më shumë vëmendje edhe për minoritetet dhe pronat.
Tiranë, 12 dhjetor 2012 – Shqipëria sërish nuk arriti të marrë (për herë të tretë) statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ashtu siç ishte paralajmëruar, më 11 dhjetor, Ministrat e Jashtëm të BE kanë arritur në konkluzionin se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të marrë këtë status. Konkluzionet e këtij takimi, që ka zgjatur disa orë më shumë se parashikimi, i ka lexuar Marcoullis, ministrja e Jashtme e Qipros, vendit që mban presidencën e Bashkimit Europian.
Teksti i plotë i konkluzioneve për Shqipërinë.
Këshilli mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar 12 prioritetet kyçe të vendosura nga Komisioni në Opinionin e vitit 2010. Këshilli vëren se dialogu i përmirësuar mes qeverisë dhe opozitës, pas marrëveshjes së nëntorit 2011, ka lejuar Shqipërinë që të bëjë progres të mirë në përmbushjen e kritereve politike për anëtarësim në BE. Shqipëria ka realizuar disa reforma kyçe sa u përket 12 prioriteteve, veçanërisht në fushën e funksionimit të parlamentit, reformën zgjedhore dhe zgjedhjeve e zyrtarëve kyçë. Këshilli vëren vlerësimin e Komisionit se Shqipëria ka plotësuar katër nga prioritetet kyçe dhe është drejt rrugës për të plotësuar dy të tjera. Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë që të shmangë deklaratat që shkojnë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Këshillin nënvizon nevojën për të intensifikuar më tej përpjekjet e identifikuara në raportin e Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave në gjyqësor për të forcuar pavarësinë e tij, eficencën dhe përgjegjshmërinë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të gjithë minoriteteve, si dhe implementimin e reformave. Mbajtja me sukses e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin normal të institucioneve demokratike në vend. dialogu politik i qëndrueshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në të gjitha fushat e mbuluara nga prioritetet kyçe do të mbeten themelore për implementimin e reformave të nevojshme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
– Këshilli thekson rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat pas plotësimit të masave kyçe në fushën e gjyqësorit, në reformën e administratës publike dhe rishikimin e rregullave parlamentare. Me perspektivën për të vendosur se kur do jepet statusi kandidat, Këshilli e fton Komisionin të raportojë në Këshill sa më shpejt për progresin e nevojshëm që është arritur, duke marrë parasysh veprime të mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshi hetimet proaktive dhe procedimin e rasteve të tilla.
– Në përputhje me konkluzionet e 5 dhjetorit 2011, Këshilli thekson se hapja e negociatave të anëtarësimit do të merret në konsideratë nga Këshilli Europian, në përputhje me praktikat e vendosura pasi Komisioni të ketë vlerësuar se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme të plotësimit të kritereve të anëtarësimit dhe ka plotësuar në veçanti 12 prioritetet kyçe të vendosura në Opinionin e Komisionit në vitin 2010. Implementimi i qëndrueshëm i reformave dhe plotësimi i të gjitha prioriteteve kyçe do të kërkohet nga Shqipëria për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE. siç nënvizohet në rekomandimin e Komisionit, Këshilli bën thirrje për një fokus të veçantë tek: Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare; forcimi i pavarësisë, eficencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë; përpjekje të vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi hetime proaktive dhe procedimin për të krijuar një regjistër solid; masa efektive për të mbrojtur të drejtat e njeriut, përfshi këtu fushën e minoriteteve; dhe implementimi i të drejtave të pronës.
Marcoullis: “Zgjedhjet e 2013-s, testi për Shqipërinë”
Me këtë rast, ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Markoullis, në konferencën e shtypit theksoi se zgjedhjet e lira në 2013 janë testi i progresit të bërë nga Shqipëria. “Këshilli mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria, për të përmbushur prioritetet dhe vuri në pah rekomandimet për t’i dhënë Shqipërisë statusin vendit kandidat dhe vlerëson zgjedhjet parlamentare si test për funksionimin e institucioneve. Këshilli e fton komisionin për të raportuar shpejt për progresin e Shqipërisë”, deklaroi ministrja e Jashtme e Qipros, Markoullis.
Fyle: “Dyert e BE-së hapur për Shqipërinë, por më parë reformat”
Fyle: Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, ka dhënë edhe ai komentet dhe mesazhet e tij nga Brukseli për Shqipërinë. Ai shpjegoi se dyert e BE-së janë të hapura për Shqipërinë, por duhet të përmbushen reformat. Fyle i bëri thirrje klasës politike shqiptare të dialogojë e të zgjidhë problemet, pa mbajtur peng axhendën e BE-së.
“Kemi një mesazh të qartë për Shqipërinë. Njohim dhe vlerësojmë punën e vështirë që është bërë deri më tani nga Shqipëria. Dyert e BE-së janë të hapura për Shqipërinë, por do të duhet të vijojë puna për përmbushjen e reformave, që këshilli ta marrë në konsideratë dhe do të dalim me një raport sapo politikanët shqiptarë ta bëjnë të mundur këtë. I bëj thirrje politikanëve për dialog politik dhe të mos mbajnë peng axhendën e BE-së”, tha Fyle.