Regjimi i vizave nuk do të prekë shqiptarët apo qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e as ata e vendeve të zhvilluara
Në Kosovë, korriku do të sjellë zbatimin e regjimit të vizave hyrëse për qytetarët e 87 vendeve të botës.
Sipas vendimit 12/108 të qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 14 dhjetor 2012, “nga data 1 korrik 2013 fillon zbatimi i regjimit të vizave për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë”, njofton MPJ kosovare.
“Pajisja me vizë hyrëse do të bëhet në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës. - lexohet në lajmërimin e ministrisë – Shtetasit e vendeve të numëruara në Shtojcën I duhet të aplikojnë për vizë në Misionin Konsullor më të afërt të Republikës së Kosovës. Në rastet kur nuk ka Mision Konsullor në afërsi, aplikimi mund të bëhet edhe në Ambasadën më të afërt të Republikës së Kosovës. Shtetasit nga vendet e numëruara në Shtojcën I mund të hyjnë në Kosovë pa vizë dhe të qëndrojnë deri në 15 ditë, por nëse kanë një vizë Schengen”.
Vënia e regjimit të vizave (siç shihet në Shtojcën I) nuk prek qytetarët e vendeve të Bashkimit europian e as të rajonit, e në përgjithësi asnjë qytetar të vendeve të zhvilluara. Regjimi vihet për shtetasit e vendeve me fluks të lartë emigracioni drejt shteteve më të zhvilluara. Në fakt, shpesh herë Kosova akuzohet nga raporte ndërkombëtare se përmes saj hyjnë në vende të tjera emigrantë të paligjshëm.