Komisioni territorial i Milanos vlerëson jo vetëm dhunën që gruaja pësonte në familje por edhe faktin që në vendlindje “nuk mbrohet paprekshmëria e gruas nga kërcënime aq të rënda sa ajo të meritojë mbrojtje ndërkombëtare”
Një komunikatë e Shoqatës Les Cultures Onlus njofton që një gruaje shqiptare të ardhur në Itali për t’i shpëtuar dhunës së të shoqit i është njohur në tetor të vitit të shkuar statusi i refugjatit nga komisioni territorial i Milanos.
Historia ka nisur në mars 2011, kur një grua në vështirësi i drejtohet qendrës së ndihmës dhe mbështetjes së grave “Telefono Donna”. Gruaja, me qëndrim të parregullt dhe pa burime financiare, tregon se ishte larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar të shoqit, njeri i dhunshëm, dhe se kishte kërkuar mbrojtje në Itali.
Operatorja e qendrës Telefono Donna i përcjellin rastin avokates Maria Grazia Corti, bashkëpunëtore e Zyrës për të drejtat e shoqatës Les Cultures ONLUS, që në bashkëpunim me ndërmjetësuesen kulturore Brizida Haznedari, konsulente juridike administrative për imigracionin në provincën e Leccos, angazhohen konkretisht për zgjidhjen e çështjes së shqiptares.
Nisin menjëherë një punë për dokumentimin e dhunës së pësuar nga gruaja, për certifikimin nga mjekë specialistë të shenjave dhunës në trupin e saj. Paraqitet padi në kuesturën e Leccos dhe i kërkohet zyrës së Imigracionit një leje qëndrimi, fillimisht sipas nenit 19 të Tekstit Unik mbi imigracionin, që parashikon mos-dëbim të të huajit për arsye se rrezikon jetën në vendlindje, e më pas sipas nenit 18 që parashikon lëshimin e lejes për mbrojtje sociale të individit. Të dyja kërkesat hidhen poshtë.
Ndërkaq gruaja mbahet në një shtëpi pritjeje të mbrojtur falë një projekti të përbashkët të Telefono Donna Merate dhe të shoqatës Soroptimist dhe i niset kërkesa për njohjen e statusit të refugjatit Komisionit Territorial të Milanos. Ky i njeh gruas statusin e refugjatit, duke mbajtur në konsideratë qoftë dhunën që ajo ka pësuar në familje, qoftë faktin që shteti i saj, faktikisht, nuk mbron paprekshmërinë e grave nga një kërcënim jete aq i rëndë sa të meritojë mbrojtje ndërkombëtare.