in

Suela Plaka, nënkryetare e komisionit për Mundësi të barabarta në Castel Mella

Aktive në jetën shoqërore, 26 vjeçarja shqiptare, nënë e dy fëmijëve, është një nga pesë gratë që përbëjnë Komisionin për Mundësi të barabarta, i ngritur nga Mafalda Gritti, përgjegjëse e Shërbimeve sociale në komunën Castel Mella. “Një ndër objektivat e komisionit është integrimi dhe përfshirja në jetën socale grave të huaja që jetojnë në territorin tonë”

Romë, 14 janar 2013 – Castel Mella është një komunë e vogël e Brescias me 11 mijë banorë, nga të cilët, rreth njëmijë janë emigrantë. Suela Mella është njëra prej tyre: 26 vjeçe, e martuar e me dy fëmijë, një djalë 6 vjeç e vajzën dhjetëmuajshe, ka ardhur në Itali për të studiuar dhe më pas ka vendosur të qëndrojë këtu. Prej tetë vjetësh jeton në Castel Mella, ku është shumë aktive në jetën sociale: “Në komunën ku jetoj ndihem shumë mirë, mund të them që jam integruar. E ndiej veten pjesë të komunitetit – tregon për Shqiptariiitalise.com. – marr pjesë në aktivitetet e organizuara nga shoqatat e ndryshme, me dy prej të cilave, MigrAzione dhe Genitori di Castel Mella, bashkëpunoj prej kohësh”.

Të qenët aktive në jetën shoqërore të qytetit i njihet edhe nga të tjerët, aq sa së fundi është thirrur të bëjë pjesë në Komisionin për Mundësitë e Barabarta, i ngritur nga përgjegjësja e komunës për Shërbimet Sociale, Mafalda Gritti. Madje në këtë komision Suela Plaka është zgjedhur njëzëri nënkryetare sepse siç shpjegon Gritti “gratë jokomunitare janë të shumta në territor e kanë të njëjtat probleme të grave italiane, ndoshta të amplifikuara. Por nga ana tjetër zgjedhja e Suelës si nënkryetare kërkon të jetë një gjest i rëndësishëm në aspektin e tolerancës dhe të integrimit”.

Komisioni do të ketë për qëllim ngritjen e shërbimeve të posaçme për gratë në mënyrë që këto të mund të kombinojnë të qenët nëna me dëshirën për të punuar, të jenë pjesë aktive e shoqërisë në të gjitha sferat.

“Një ndër obiektivat tanë është edhe integrimi i të gjitha të huajave që jetojnë në territorin e Castel Mella-s – thotë Suela – Përmes projekteve të ndryshme do të përpiqemi të mundësojmë pjesëmarrjen e grave në jetën sociale, të krijojmë kushtet që gratë që duan të punojne e të bëjnë karrierë ta kenë këtë mundësi edhe pse mund të kenë fëmijë. Një tjetër objektiv është informimi mbi çështje sociale e mbi parandalimin e sëmundjeve”.

Si do të arrihen konkretisht këta objektiva? “Në bashkëpunim me Komunën – shpjegon – Do të organizojmë takime dhunën e të drejtat e grave, mbi shëndetin e parandalimin e sëmundjeve. Do të sigurojmë screening falës për të gjitha gratë. Që ato të kenë jetë shoqërore e karrierë profesionale, mbajmë për shembull, çerdhet, kopshtet dhe shkollat hapur me orar të gjatë, nga mëngjesi deri në 17.30. Madje, për t’u dhënë mundësi prindërve që nuk kanë ndihmën e familjarëve (emigrantët rasti më tipik) të kenë një mbrëmje të lirë për t’u argëtuar, komuna mban hapur çerdhet një të premte në muaj nga ora 20:00 deri ne 22:30”.

Ç’mendoni për integrimin e të huajve? “Është i vështirë, – thotë pa mëdyshje Suela – Shpesh komunitetet e huaja mbyllen në vetvete e nuk ndihen pjesë e realitetit shoqëror ku jetojnë. Por kjo nuk varet vetëm prej tyre, vështirësitë krijohen kryesisht nga ligjet, paragjykimet. Nëse ligjet i ndryshon parlamenti, për paragjykimet të gjithë, të huaj e italianë, duhet të bëjmë punën tonë”.

Keti Biçoku

Giornata del migrante: “Oggi gli albanesi rappresentano una risorsa”

Mjekët spiunë të klandestinëve e stop xhamive. Kështu ‘e do Italinë’ Allam